“Aq më bukur që luajmë jashtë“, Egbo çudit dhe kënaqet me shortin: Ndoshta mendoni se Zoti nuk na buzëqeshi, por…

Tirana u ndje si më e përkëdhelura e klubeve që marrin pjesë në Europa League, teksa shorti e dërgoi menjëherë në play off, pa qenë nevoja të luante në raundi ne 3-të. Megjithatë ditën e sotme fati ka ndryshuar fytyrë dhe bardheblutë shohin të kenë përballë kampionët e Zvicrës, Young Boys. Një duel mëse i vështirë ky, por jo për Egbonë.

Në një pronocim për “Sport News” në “News 24”, trajneri i Tiranës ka komentuar shortin dhe nuk duket aspak i frikësuar. “Besoj se çdo gjë është e mundur në jetë”, kjo është motoja me të cilën kreu i pankinës kryeqytetase e pret përballjen me Young Boys. Madje faktin se do të luajë jashtë e konsideron edhe më të bukur, pasi e kalon presionin te kundërshtari.

“Ndoshta mendoni se Zoti nuk na buzëqeshi sot por unë kam besim se Zoti ka mënyrën e vetë për të bërë gjërat e tij. Kam besimin e plotë se çdo gjë është e mundur në jetë. Nuk jam tip që dorëzohem kur gjërat janë të vështira. Jo, unë besoj deri në fund. Këtë mendim dhe besim do e ketë i gjithë ekipi. Tirana ka mbetur i vetmi ekip shqiptar në Europë dhe duhet të bashkojmë forcat bashkë. Nëse shkojmë atje për të dhënë maksimumin tonë, unë besoj se çdo gjë është e mundur. Këtë kemi arritur ta tregojmë gjatë gjithë kampionatit.

Tirana luan në transfertë? Aq më bukur mendoj, sepse presioni më shumë do të jetë i tyre. Ne nuk do të kemi presion të madh, vetëm atë nëse do të japim 100% brenda 90 minutave ose minutave shtesë që mund të ketë ajo ndeshje. Ky është i vetmi merak që kam.

Besoj se kemi kohë për të parë se sa do të jetë përgatitur ekipi. Lojtarët që kanë dëmtime të vogla do të jenë rekuperuar për atë ndeshje. Edhe lojtarët që do të vijnë dhe që janë rrugës, shpresoj që të vijnë sa më shpejt dhe ta shohim kontigjentin e plotë për atë ndeshje. Ajo është e rëndësishmja”, ka deklaruar Emanuel Egbo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *