Ditën e sotme është luajtur edhe finalja për të vendosur kampionin e Kategorisë së Parë. Festa në “Elbasan Arena” i takoi Apolonisë, që mposhti Kastriotin me shifrat 1-2, duke ngritur kështu lart trofeun. Në ceremonië pas ndeshjes ka qenë i pranishëm edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, i cili i dorëzoi fierakëve medaljet dhe Kupën e Kategorisë së Parë.
Në një prononcim për “RTSH Sport” në përfundim të takimit, Duka ka folur më tej për këtë finale, që shprehet se do e shijonte më tepër me tifozët në tribuna. Presidenti i FSHF-së vlerëson klubin e Apolonisë, që sipas tij është një model që duhet ndjekur në Shqipëri për mënyrën sesi është i organizuar. Në fund nuk lë pa shprehur edhe pakënaqësinë e tij për këtë edicion, që i kushtëzuar nga fatkeqësitë natyrore nuk ka qenë aspak normal.
“Do isha më i kënaqur që ky stadium të ishte plot, por po jetojmë në një kohë të pazakontë. Gjithsesi të gëzuar që u rikthye të luhej futboll, por të luhej gjysmë futboll sepse pa skektatorë futbolli nuk është i bukur aq sa duhet të jetë. I uroj të dyja skuadrat për kampionatin që kanë bërë dhe që vitin tjetër do të jenë pjesë e Superligës. Kanë bërë një kampionat akoma më të vështirë se të tjerët për vetë ato specifikat e veta, ndërprerje dhe rikthimi. Por pavarësisht ishte një ndeshje e bukur që mua më pëlqeu. Shpresoj t’u ketë pëlqyer edhe mbështetësve të të dyja skuadrave nga ekranet e televizoreve.
Ky është fundi i këtij edicioni për këto skuadra dhe është shumë shpejt fillimi i sezonit tjetër. Duhet të përgatiten shumë mirë sepse në Superiore i pret një garë akoma më e fortë me një nivel relativisht më të lartë dhe që do të duhet ta përballojnë. Unë uroj që këto skuadra që kanë vite që ikin dhe vijnë në Superiore të vijnë ndryshe, me një performancë më të mirë, të dhurojnë spektakël dhe pse jo të qendrojnë më gjatë në Superiore.
Apolonia është një nga klubet më të mirëorganizuar në Shqipëri, që bën futboll në të gjitha nivelet me mundësitë e veta, me akademinë e vetë, me financat që prodhon vetë klubi. Kjo është shumë e rëndësishme. Nuk është një gropë e zezë as për Bashkinë, as për presidentin. Për meritë të presidentit klubi ka arritur të gjenerojë të ardhura për të riprodhuar futboll dhe për të patur jo vetëm ekipe cilësore, por edhe sasiorë. Akademia e Fierit ka një numër relativisht më të lartë se të gjitha akademitë e tjera të Shqipërisë. Duke u nisur nga të gjitha këto mendoj që ky është një model i mirë që duhet ta shëprndajmë dhe të jetë shembull për të gjithë Shqipërinë. Futbolli duhet të jetë i të gjithëve. Duhet të jetë për fëmijët, duhet të jetë i bukur dhe duhet të mos jetë dhimbje koke financiare, por të prodhojë financa vetë. Fieri pak a shumë këto balanca i ka gjetur dhe meriton përgëzime bashkë me ngjitjen në Kategorinë Superiore apo me shpalljen e U-19 kampion.
I kënaqur me këtë sezon? Nuk besoj as i pari as i fundit nuk është i kënaqur nga ky vit. Ne kemi kaluar gjatë këtij edicioni futbollistik ngjarje shumë të pazakonta dhe të vështira, që kanë ndikuar në jetën tonë dhe kanë ndikuar edhe në futboll. Kanë ndikuar në gjendjen tonë emocionale të futbollistëve dhe trajnerëve. Kemi kaluar një fatkeqësi natyrore në nëntor me tërmetin, më pas me pandeminë. Por gjithsesi ajo që më jep akoma më shumë kurajo është fakti që të gjithë së bashku ia kemi dalë. Po përfundojmë garën dhe po përgatitemi për të vazhduar. Ka qenë një edicion i vështirë në të gjitha këndvështrimet për ato gjëra që nuk janë varur nga ne. Nuk mund ta konsiderosh një edicion normal”, ka thënë Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/