Apolonia mposht kuqezinjtë e Bogdanit

Fierakët fitojnë në testin ndaj U-19, Kashami i kënaqur me skuadrën

APOLONIA – SHQIPËRIA U-19 2-0

Shënues: Krasniqi 70′, Mihana 88′

APOLONIA: Çako, Braka, Broshka, E. Mehmeti, Velaj, Troka, Hysenshahaj, K. Mehmeti, Kondakçiu, Dimo, Krasniqi. (U aktivizuan dhe: Hasfatia, Mihana, Bajo, Duda, Kuçi, Andoni, Gjata, Sota, Hena). Trajner: N. Kashami.

SHQIPËRIA U-19: Tafa, Arapi, Doda, Çela, Gjura, Abara, Koçi, Hysaj, Murteza, Metolli, Haxhiu. (U aktivuzuan dhe: Burba, Xhuveli, Bushaj). Trajner: E. Bogdani.

Bujar Rama

Apolonia fiton sërish në miqësoren e radhës, e dyta në dy ditët e fundit për fierakët. Këtë herë, skuadra e Kashamit është ndeshur me 19-vjeçarët kuq e zi të trajnerit Bogdani, në të njëjtin stadium ku këta të fundit do të zhvillojnë dy miqësore me homologët e tyre të Gjeorgjisë më 30 gusht dhe 1 shtator.

NDESHJA – Pjesa e parë ka qenë ritmike dhe e shpejtë, ku janë lojtarët e U-19 që luajnë më mirë, me pasime të shumta, duke zotëruar mesfushën e duke krijuar raste shënimi me anë të Hysajt, Metollit dhe Koçit. Në të 17′, është pikërisht Koçi, që gjuan prirët me portën fierake, nga e majta, por “sfera” shkon ngjitur me shtyllën pingule. Pas minutës së 25-të fierakët balancojnë në lojë dhe krijojnë edhe ata rastet e tyre për gol. Në të 28′, Krasniqi i rrëmben topin Abarës dhe vërshon drejt zonës, nga e djathta e sulmit fierak, por gjuan dobët, mbi tra. Në minutën e 35-të, Hysenshahaj ekzekuton një goditje dënimi, diagonal nga e majta, në vijën e zonës së U-19. Topi shkon rrezikshëm direkt në portë dhe Tafa grushton me vështirësi në korner. Në të 43′, kapiteni Dimo ndodhet vetëm 2 metra larg portës, por ia “dhuron” topin në duar portierit Tafa. Pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura.

PJESA E DYTË – Pjesa e dytë sërish ka rivalitet. Janë dy momente të Hysajt në minutat 61-të dhe 63-të. Në rastin e parë gjuan dobët nga një pozicion ballor, ndërsa në rastin e dytë ka qenë një grushtim i bukur i Hasfatisë. Reagojnë fierakët dhe në minutën e 70-të, Dimo adreson një top të gjatë nga e majta drejt Krasniqit, që shfaqet i vetëm me portierin Tafa dhe shënon golin e parë. Në 75′, Dimo provon nga një goditje dënimi rreth 35 m, por vetëm rrjetë e jashtme. Dy minuta para përfundimit, i talentuari Mihana driblon mjeshtërisht dy mbrojtës, futet në zonë, gjuan tokazi dhe dyfishon shifrat. E treta fitore e Apolonisë në 5 miqësore të luajtura deri tani, ndërsa për U-19, pavarësisht humbjes, duhet thënë se ka zhvilluar një ndeshje të mirë. Kujtojmë se 19-vjeçarët e përfaqësueses sonë do të luajnë në muajin tetor kualifikueset për Kampionatin Evropian, ballë kundërshtarëve të tillë, si: Norvegjia, Mali i Zi dhe Ukraina. Ndërsa Apolonia, të shtunën do të presë në miqësoren e radhës Lushnjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *