Fierakët kanë fituar ndaj sarandjotëve në “Loni Papuçiu”, teksa kanë shënuar tre herë që në pjesën e parë. Në të dytën kanë lëshuar pak, por miqtë vetëm e ngushtuan diferencën
Bujar Rama
APOLONIA – BUTRINTI 3-2
Shënues : Dimo 28’, K. Mehmeti 31’, Krasniqi 42’ / Bazaj 62’, Kola 65’ (11-m).
APOLONIA: Çako, Braka, Broshka, E. Mehmeti, Sota, Troka, Hysenshahaj, Kondakçiu, Dimo, Lamaj, Krasniqi. (U aktivizuan: Hasfatia, Velaj, Bajo, Gashi, Mihana, D. Andoni, K. Mehmeti, Hena). Trajner: N. Kashami.
BUTRINTI: Rrapaj, Qoku, Kaçupaj, Muzhai, Kolonja, Myrtaj, Xhuvani, Barka, Dh. Andoni, Kola, Havari. (U aktivizuan dhe: Shehaj, E. Kasaj, A. Kasaj, Bazaj, Çulli, Sina, Alinani, Lala). Trajner: A. Faslliu.
GJYQTARË: E. Sino, I. Tartari, O. Grabova (Fier – pjesa I); A. Paço, E. Hasanaj, S. Çepele (Fier – pjesa II).
Apolonia ka fituar 3-2 në “Loni Papuçiu” në miqësoren kundër Butrintit. Ka qenë një ndeshje me dy fytyra: pjesa e parë e fituar 3-0 nga fierakët, ndërsa fraksionin e dytë kanë qenë sarandjotët, të cilët kanë shënuar dy gola. 10-15’ e para kanë qenë të ekuilibruara, ku Apolonia rrezikoi me Dimon e Krasniqin, ndërsa Butrinti me Havarin dhe Kolën. Më pas, epërsia kaloi tërësisht në kahun e bardhejeshilëve, që shënojnë 3 gola dhe shpërdorojnë raste pa fund. Në 28’, kapiteni Dimo mori një top nga thellësia e mesfushës së tij, lëvizi mirë brenda zonës mike, shmangu dhe portierin Rrapaj dhe zhbllokoi rezultatin. Pas 3’ ishte K. Mehmeti, i cili “vallëzoi” brenda zonës sarandjote në një aksion model personal. Pasi shmangu 3 mbrojtës të Butrintit, gjuajti saktë tokazi me të djathtën, duke shënuar golin e dytë. Fierakët kanë dhe 3-4 mundësi të mira shënimi me anë të Dimos, K. Mehmetit dhe Hysenshahajt, por goli i tretë do të vinte vetëm në minutën e 42-të, shënuar nga Krasniqi. Pjesa e dytë vijoi me shumë zëvendësime nga të dyja skuadrat. Apolonia lëshoi në lojë dhe nga kjo përfituan miqtë, që shënojnë dy herë në harkun e 3’. Së pari ishte Bazaj, që shënoi në të 62′, duke shënjestruar saktë brenda zonës, ndërsa në minutën e 65-të, Kola shndërroi në gol një penallti të fituar nga skuadra e tij. Përfundimisht, 3-2 për Apoloninë, në të katërtën ndeshje miqësore, ku ka sigluar 2 fitore e 2 barazime. Vlen për t’u përmendur se në këtë ndeshje janë testuar te fierakët portieri 19-vjeçar nga Elbasani Hasfatia, aktivizuar më parë me Kevitanin, mbrojtësi 20-vjeçar Maksimiliano Bajo, ardhur nga Mamurrasi, si dhe qendërmbrojtësi 22-vjeçar nga Vlora, Velaj.
PAS NDESHJES
Ndriçim Kashami, trajner i Apolonisë: “Zhvilluam një pjesë të parë shumë të mirë dhe arritëm të kalonim tri herë në avantazh. Në pjesën e dytë, nga dëshira për të shënuar sërish, skuadra la hapësira në mbrojtje dhe si rezultat pësuam dy gola. Pavarësisht rezultatit, unë jam i kënaqur”.
Astrit Faslliu, trajner i Butrintit: “Zhvilluam një pjesë të parë jo në lartësinë e asaj që prisnim, ndërsa në pjesën e dytë rregulluam disa gjëra në skuadër. Po bëjmë një punë serioze dhe ekipi ka të dhëna të mira”.