“Anuloi një farë Ibrahimoviç”, në Itali vlerësojnë “murin shqiptar”: Jo më kot është blerja më e shtrenjtë në histori

Ardian Ismajli është duke u rritur në të njëjtën mënyrë te Spezia ashtu si edhe Berat Gjimshiti te Atalanta. Në hapat e parë me Gasperini, përpara se të bënte kalimin e madh për të mbërritur në titullarin e padiskutueshëm, Gjimshiti përdorej vetëm në përballjet ndaj skuadrave të mëdha. Kur bëhej fjalë për ndeshjen ndaj rivalëve më të lehtë në letër, gjithmonë do të ulej në pankinë.

Kjo histori është përsëritur edhe me Ardian Ismajlin te Spezia. Por për t’u veçuar është fakti se mbrojtësi shqiptar i është përgjigjur në nivelin më të lartë detyrës për të kufizuar aftësitë e sulmuesëve si Lukaku, Martinez dhe Ibrahimoviç. Më së miri ia doli edhe në duelin kundër Milanit që Spezia e fitoi në shifrat 2-0. “Cittadellaspezia” ka bërë një artikull ku e cilëson Ismajlin si “murin shqiptar” dhe ku theksohet se blerja e tij nga Hajduku i Splitit nuk mund të ishte kurrsesi e gabuar, pasi bëhej fjalë për investimin më të madh në histori.

Sa i përket ambientimit të Ardianit thuhet me të drejtë se nuk mund të vinte menjëherë si titullar te Spezia për faktin se futbolli në Kroaci dhe Itali ka shumë dallime, e kjo kërkon kohën e saj për t’u përshtatur. “I lindur në periferi të Prishtinës, ishte blerja më e shtrenjtë në historinë e Spezias. Në rrjetet sociale ka marrë shumë komplimente dhe Ismajli do të shprehej: “Me durimin dhe punën e palodhur, gjithmonë do të vijnë gjëra shumë të mira”.

Me buxhetin më të vogël në Serinë A, sigurisht që Spezia kishte shumë pak shanse që të gabonte. Sidomos për 2.5 milionë eurot e paguara te Hajduku i Splitit që përfaqësojnë shpenzimet më të larta të blerjes së një futbollit në historinë e Spezias. Ndaj Milanit, Ardiani anulon një farë Zlatan Ibrahimoviç, duke u hakmarrë ndaj kujtdo që kishte folur para kohe”, shkruhet te “Cittadellaspezia”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *