Shqipëria e nisi me fitore Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë mundën me përmbysje Ukrainën. Fitorja 1-2 e ekipit tonë kombëtar riktheu sërish entuziasmin e një viti më parë, kur përjetuam atë rrugëtim të jashtëzakonshëm në kualifikueset e Kampionatit Europian. Armand Duka ka përgëzuar lojtarët dhe stafin teknik pas kësaj fitoreje. Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook” presidenti i FSHF-së është shprehur se ky ansambël kuqezi është i destinuar për të na falur emocione si ato të pak muajve më parë.
“Miq e sportdashes! Suksesi plotësisht i merituar sot në Pragë me Ukrainën në nisjen e Ligës së Kombeve konfirmon potencialet jo të pakta të skuadrës sonë për të shkuar shumë larg! Në rikthimin e tyre në fushë sot pas Europianit, çunat demonstruan sërish forcë, karakter dhe besim absolut edhe në disavantazhin e gjendur nga kundërshtari.
Pavarësisht fitores ka ende shumë për të përmirësuar e për të bërë më mirë dhe ku natyrisht kam bindjen absolute që stafi do i trajtoje në mënyrë shterruese momentet e pasigurive tona. Vazhdojmë të jemi Shqipëria që vijon të akumuloje forcë e respekt tek çdo kundërshtar!
Shumë shpejt na vjen në Tiranë Gjeorgjia që trembi me fitoren e parë sot. Me pak më shumë kujdes në fushë do të vijojmë të prodhojmë sukses e rezultat me këtë ansambël kuqezi që është destinuar të na rifalë të tjera emocione të forta si ato të para pak muajve!
Shumë urime djemve dhe stafit! Tani të gjithë së bashku të martën në stadium për të mbeshtetur këta djem drejt një suksesi të dytë ndaj Gjeorgjisë së fortë, por aspak të pathyeshme! Është Kombëtarja jonë, juaja, e të gjithëve! Vazhdoni ta mbeshtesni sa më fort”, ka shkruajtur Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/