Zhvillimet e fundit për shkak të Koronavirusit kanë sjellë edhe ndryshim drastik në jetën sociale të gjithkujt në Itali, si dhe në shumë vende të tjera të botës. Nuk shpëton këtu as futbolli, që prej disa kohësh ka hapur krahun, ndërsa e ardhmja pret vendime se si do të zgjidhen kampionatet e lëna përgjysmë. Në Serie A duket se kanë të qartë se ç’rrugë duhet të ndjekin. Të çojnë deri në fund kampionatin është përgjigja që kanë dhënë të gjitha klubet e Serie A, gjatë asamblesë së zhvilluar ditën e sotme nëpërmjet videokonferencës.
Kështu zëri i presidentëve ka qenë unanim dhe tashmë Federata Italiane do të kërkojë nga UEFA të shtyjë Europianin e planifikuar të luhet në verë, në mënyrë që të përfundohet ky sezon i ndërprerë. Hipoteza e shpalljes së Juventusit kampion përpara kohe është hedhur poshtë, teksa Anjeli duket se ka lënë pas interesat e veta dhe ka vendosur ta lërë fituesin të dalë nga fusha e blertë.
Kujtojmë se më parë ka pasur edhe një përplasje mes Lotitos dhe presidentit bardhezi, pasi numri një i Lazios i druhej një vendimi për të nxjerrë triumfues Juventusin, duke hedhur kështu poshtë gjithë punën fantastike të bërë nga bardhekaltrit këtë sezon. Megjithatë asambleja e sotme ia ka larguar tashmë frikën Lotitos, e madje as Anjeli nuk ka dalë kundër, duke mos kërkuar të përfitojë nga situata e krijuar në këto momente./Sport Ekspres/