Anglia e pa veten në avantazh që në minutën e pestë ndaj Kroacisë në gjysmëfinale, megjithatë skuadra nga Ballkani gjeti forcat për të përmbysur gjithçka. Në fund anglezët kthehen në shtëpi, të dëshpëruar, pasi ju afruan shumë finale, megjithatë nuk mund të quhet dështim aspak.
Anglia nuk e nisi këtë Kupë Bote në listën e pretendentëve kryesore, pasi vinte me skuadrën me moshën mesatare më të re. Një skuadër mjaft simpatike që bëri mirë deri këtu dhe mbi të gjitha premton shumë për të ardhmen. Nuk kanë munguar dhe reagimet e shumta të personazheve të njohur, duke nisur që nga princi Uilliam apo dhe piloti Hamilon.
Princi Uilliam, falënderoi të besuarit e Southgejt në rrjetet sociale duke u shprehur: “Ju keni zhvilluar një Kupë Bote të pabesueshme, keni bërë histori dhe na bëtë të besonim. Ne e dimë se do të bëjmë gjëra më të mëdha në të ardhmen me këtë ekip”.
Edhe piloti Luis Hamilton i qëndron të njëjtës linjë duke thënë: “Më bëtë të ndihem krenar. Jam i sigurt se një ditë trofeu do të vijë tek ne”.
Nuk mund të mungonte komenti i një legjende si Geri Lineker, i cili në rrjete sociale shprehet mjaft i mërzitur për rezultatin, por besimplotë për të ardhmen: “Jam krejtësisht i shokuar, por kjo skuadër dha gjithccka. Kemi bërë një hap të madh përpara dhe do të përmirësohemi akoma dhe më shumë në të ardhmen. Djemtë duhet ta mbajnë kokën lart, pasi na kanë bërë krenar. Urime Kroacisë”.
Edhe ish-kapiteni i Liverpulit, Xhemi Karrager, po ashtu ka treguar mbështetjen tij për përfaqësuesen: “Anglia dha gjithçka, por në finale arriti Kroacia që është një shtet me 4 milion banorë dhe është diçka e jashtëzakonshme.
Edhe shtypi anglez po ashtu ka treguar keqardhje për eliminimin nga Kupa e Botës: “Kthehemi në shtëpi, Anglia mundet nga Kroacia në kohën shtesë në një gjysmëfinale të paharrueshme të Kupës së Botës”, shkruan “Daily Mail”. “Ju na bëtë krenar ” është titulli i “The Sun”, i cili flet për “zemrat e thyer” të tifozëve. “Mandzukiç shuan ëndrrën e “Tre Luanëve” në Kampionatin Botëror”, është titulli i “Daily Mirror”, e cila përsërit se Kane dhe shokët e tij “do të kthehen në shtëpi si heronj kombëtar”. Anglia largohet nga Kupa e Botës me Kokën lart.