Anglia pret sot në mbrëmje Shqipërinë në një ndeshje që dëshirojnë ta fitojnë për të ruajtur vendin e parë në grup, ndërsa nga ana tjetër kuqezinjtë duan të mbajnë ende gjallë matematikën për një vend në play-off. 4400 bileta janë shitur për tifozët shqiptarë në “Uemblin” e stërmbushur, të cilët do të kenë mundësinë të ndjekin nga afër sfidën.
Nisur nga ngjarjet që ndodhën në përballjen e fundit kundër Hungarisë, në Angli kanë vendosur të marrin masa për tifozët kundërshtarë, por edhe ata vendas. Për këtë arsye mbrëmjen e sotme do të shtohet numri i forcave policore për të ruajtur rregullin dhe mbarëvajtjen e sfidës. Një muaj më parë 1000 tifozët hungarezë të pranishëm në “Uembli” vërshëllyen lojtarët anglezë në momentin e gjestit të uljes në gjunjë, ndërsa gjatë ndeshjes ka pasur edhe përleshje të ashpra mes tyre dhe forcave të sigurisë./Sport Ekspres/