Talent, punë dhe sakrificë. Por në futboll, një pjesë të rëndësishme ka edhe fati. Pikërisht, ai që i mungoi Andi Lilës në grumbullimin e fundit me Kombëtaren.
Nga aktivizimi i munguar në ndeshjen me Izraelin, te dëmtimi që e la jashtë ekipit për trasfertën me Skocinë. Por, t’i marrim episodet me radhë.
Në “Elbasan Arena”, numri 2 e nisi ndeshjen nga stoli. Në 12 minutat e fundit, kur Shqipëria po vuante presionin e izraelitëve, trajneri Panuçi e thirri në apel. Lila do të aktivizohej si ndërrimi i tretë, për t’i dhënë frymëmarrje ekipit dhe për të luftuar në mesfushë.
32-vjeçari shkoi pranë fushës me arbitrin e katërt. Por, sapo do të hynte në lojë, zëvendësimi ndryshoi, sepse dëmtimi i Veselit bëri të nevojshëm aktivizimin e Mavrajt, në qendër të mbrojtjes.
Vetëm pak orë pas atij episodi, fati i keq vazhdoi ta përndjekë kavajasin. Trajneri Panuçi shpjegoi se një dëmtim muskulor bëri që Andi Lila të largohej nga Kombëtarja vetëm pak orë përpara udhëtimit në Skoci, duke u zëvendësuar nga Ergys Kaçe. Më keq se kaq, vështirë se mund të shkojë një grumbullim.