Me një paraqitje të jashtëzakonshme në pjesën e dytë, Napoli rikuperoi disavantazhin përballë Paris Seint Zhermen në Champions League. Performancë e cila u vlerësua edhe nga trajneri Karlo Ançeloti: “Pas lojës disi të kujdesshme në pjesën e parë, ku PSG kontrollonte ritmin e ndeshjes, ndryshuam sjelljen në fushë. Në pjesën e dytë ushtruam më tepër presion dhe për 20 minuta kemi zhvilluar futboll të niveit të lartë.
Grupi është i ekuilibruar: “Dy barazimet me PSG janë rezultate pozitive dhe pas shortit nuk e prisnim të ishim në krye të grupit,me pikë të barabarta me Liverpulin. Është një grup tejet i ekuilibruar dhe nuk mund të thuash si do të përfundojë. Kemi një avantazh të vogël, që jemi më mirë në ndeshjet direkte me francezët. Të shohim çfarë do të ndodhë, pasi Crvena Zvezda tregoi se në këtë grup mund të ndodhë gjithçka”.
Insinje gjeti golin, këtë herë me penalltinë e realizuar përballë Bufon: “Lorenco tregoi kurajë, ndërsa si gjithmonë, Bufon ishte në gjendje të shkëlqyer. Bernat më ndëshkoi, më ndodh gjithmonë me ish-lojtarët e mi”. Duke u kthyer te ndeshja, Ançeloti tha: “Paraqitjet më të mira i bëjmë kur ushtrojmë presing të lartë, por nëse do të luanim kështu prej fillimisht kundër PSG-së, rrezikonim ti linim shumë hapësira emrave si Nejmar dhe Di Maria. Kjo është arsyeja përse në pjesën e parë ishim disi të kujdesshëm”.