“Nëse vazhdon kështu, ky Milan është për Champions”. E thotë një që nga futbolli dhe nga Milani merr vesh shumë, Karlo Ançeloti, në një intervistë për Gazetta dello Sport. Ish-trajneri kuqezi është i bindur se distanca me vendin e katërt mund të rikuperohet: “Nëse vazhdohet me këtë ritëm, po. Megjithatë, mos t’i krijojmë shumë presion skuadrës, duhet arsyetuar ndeshje pas ndeshjeje. Për të shkuar në Champions duhet që ta ulin ritmin ata përpara dhe Milani ka detyrën që të jetë gati, nëse Roma, Lacio apo Interi do të lëshojnë pikë të tjera. Megjithatë, duke parë si ishte situata para pak kohësh, me depresionin total që mbretëronte rreth klubit, është rezultat i madh që të arrijmë e të flasim tani për Champions”.
Për Ançelotin, personazh kyç në ringjalljen e Milanit është trajneri Rino Gatuzo: “Shpresoja që të bënte mirë, por nuk isha i sigurt. Kur merr drejtimin gjatë sezonit ka gjithnjë shumë pikëpyetje, dyshime, pengesa. Rino u tregua i zoti, duke dribluar vështirësitë dhe duke e ringritur Milanin, duke i dhënë një lojë dhe identitet, ndërsa lojtarët e ndjekin. Jam i lumtur për të dhe për gjithë tifozët e Milanit, i ndjek të gjitha ndeshjet e kësaj skuadre, jam një romantik i vjetër, gëzoj edhe unë si një herë e një kohë kur fitojmë. Gatuzo ka meritën që ka bërë për vete lojtarët, ata e shohin si lider dhe grupi është i bashkuar. Shoh lojtarë që do hidheshin në zjarr për të dhe ky aspekt është vendimtar në futboll, ashtu si në jetë. Gatuzo është shpirti i Milanit, lojtarët po e ndjekin, është rruga e duhur”.
Ançeloti një herë e një kohë kishte Pirlo, Sedorf e Kakà, tani Gatuzo ka emra si Bilia, Çalhanoglu e Suso, por Ançeloti nuk heq paralele: “Mos ta ekzagjerojmë, vlerat teknike janë të ndryshme, por rruga është e njëjta. Te Milani i Gatuzos, e pranoj, shoh konceptet e Milanit tim. Pastaj, dakord, interpretuesit nuk janë të njëjtit, por nuk mund të kesh gjithçka nga jeta. Këshilla? Po, të dëgjojë të gjithë, të arsyetojë për ato që i thuhen dhe më pas të vendosë vetë. Kjo është forca e trajnerit, të jetë aftësinë të nxjerrë thelbin nga ajo që i propozohet”.