Shqipëria barazoi me shifrat 0-0 kundër Gjeorgjisë në miqësoren e dytë të muajit mars. Pas super ndeshjes së zhvilluar ndaj Spanjës, ku Kombëtarja mori komplimentat, vjen një paraqitje mesatare ndaj Gjeorgjisë dhe pa fitoren e pritur. Por çfarë ndikoi në këtë rezultat? Fillimisht mesfusha ishte e ndërruar tërësisht, nyja kyçe e një ekipi. Për më tepër që tre lojtarë si Ivan Balliu, Myrto Uzuni dhe Keidi Bare ngelën në Spanjë dhe nuk ishin të gatshëm ndaj Gjeorgjisë.
Sa i përket analizës taktike, trajneri Ergys Luga ka përgatitur një video për të sqaruar më mirë mënyrën e vendosjes. Shqipëria kërkonte gjerësinë e fushës për të liruar sadopak dy sulmuesit e saj, ndërsa gjeorgjianët mbronin në bllok. Shpeshherë kundërshtari ndryshonte manovrën e tij, teksa në minutat e fundit, mbrojtësat nisën të shtynin më lart duke nxjerrë në pozicion jashtë loje disa herë Cikalleshin.
Por përtej lojës së zhvilluar, një nga problemet kryesore te Shqipëria e Rejës janë goditjet standarte. Nëse në kohën e De Biazit i shfrytëzonim në maksimum goditjet e këndit dhe ato të dënimit, kjo nuk ndodh tani. Në shumicën e rasteve krosimet janë tërësisht pa ide duke mos shkaktuar asnjë rrezik të vetëm për rivalin. Shumë ndeshje zgjidhen edhe në këtë mënyrë. /Sport Ekspres/