Trajneri Starova u ka folur lojtarëve në analizën për ndeshjen kundër Kukësit. “Eliminoni gjërat e vogla, pasi pa to mund të rrisim shumë nivelin”
Fitorja kundër Kukësit cilësohet si pika e kthesës për skuadrën e trajnerit Sulejman Starova. Të gjithë, duke filluar nga drejtuesit, por edhe tifozët kanë thënë vetëm fjalë të mira për skuadrën. Megjithatë, një person nuk është krejtësisht i kënaqur. Fjala është për trajnerin Sulejman Starova, në fakt, ai nuk është kurrë i tillë. Numri një i stolit gjen gjithmonë gabime te skuadra e tij dhe kërkon që të ndërtojë një ekip perfekt pa gabime. Pavarësisht se diçka e tillë është thuajse e pamundur.
Tekniku i kuq ka zhvilluar edhe analizën e fitores me Kukësin pas ndeshjes. Ai ka mbledhur lojtarët e tij dhe u ka kërkuar që të punojnë fort dhe u kërkuar që të përmirësojnë edhe gabimet e vogla.
ANALIZA – Trajneri Sulejman Starova së bashku me lojtarët e tij ka zhvilluar analizën e ndeshjes së fituar me Kukësin. Numri një i pankinës nuk ka ndalur me kritikat e tij për lojtarët, pavarësisht se ka pasur edhe fjalë të mira ndaj tyre. “Sport Ekspres” arrin të zbulojë një pjesë të bisedës mes Starovës dhe lojtarëve. Numri një i stolit kërkon që të mbajë nën tonus lojtarët e tij dhe të përmirësojë ata duke u kërkuar të shmangin edhe gabimet e vogla. Penalltia e Malotës? Asnjë kritikë për të në atë rast. “Kemi fituar vetëm një ndeshje, asgjë më shumë. Kemi edhe shumë rrugë përpara dhe na pret një sfidë e vështirë me Skënderbeun, e kemi në prag. Duhet të punojmë më shumë. Nuk mund të them se nuk jam i kënaqur me paraqitjen që bëmë në Kukës, por duhet të shmangim gabimet e vogla. Kemi bërë gabime dhe duhet t’i eliminojmë. Të shmangim gjërat e vogla, pasi në to bëhet diferenca, nuk kanë mbetur gjëra të mëdha në futboll. Përgjithësisht ekipet nuk bëjnë shumë gabime. Për Skënderbeun do të flasim sërish, por nuk kam nevojë t’iu them se sa e vështirë është kjo sfidë. Nuk do kemi 100 mundësi, një gjysmë rasti do kemi dhe duhet ta kthejmë në gol”, – tha ndër të tjera tekniku Starova.
ANALIZA PËR SKËNDERBEUN – Trajneri Starova do të zhvillojë edhe analizën e dytë të javës atë para ndeshjes me Skënderbeun. Stafi teknik dhe lojtarët do të mblidhen në fundjavë për të nxjerrë edhe taktikën që do të përdorin për ndeshjen kundër korçarëve. Trajneri Starova ka studiuar edhe kundërshtarët në fitoren kundër Dinamos së Kievit.
Starova eshte mbivlersuar. Nuk ka nivel. Duhet te rikthehet stafi italian.