Artan Hoxha ishte i ftuar në emisionin “Opinion“ në “TV Klan”, ku ka folur për mënyrën se si u dha e drejta e zhvillimit të Kampionatit Botëror në Katar dhe ai i vitit 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Gazetari i njohur ka thënë se Amerika nuk mund të lejonte që Kupa e Botës të organizohej për të tretin edicion radhazi në një vend të qeverisur nga autokratë, pasi pas Rusisë dhe Katar ekzistonte mundësia që i radhës të blihej nga Kina. Për këtë arsye FBI-ja ndërhyri në Zvicër për të vënë përpara drejtësisë Blaterin dhe Platininë.
“Së pari, të dy kampionatet, 2018 dhe 2022, i mori Put.ini dhe Katari. Pra, dy vende që qeverisen nga autokratë, dy vende që qeverisen nga diktatorë dhe dy vende të korruptuara. Pse shkoi kampionati tjetër në Amerikë? Sepse shkoi FBI-ja i arrestoi në Zvicër ata të FIFA-s. Amerika ua ka marrë me zor kampionatin dhe prandaj kampionati i 2026-ës do të luhet në Amerikë. Kanadanë dhe Meksikën i futën për shpëlarje ata, por është në Amerikë. Nuk kishte shans, në qoftë se nuk do të ndërhynte Amerika, që kampionatin tjetër Blateri do ta çonte te vendi tjetër i korruptuar, që ishte Kina, se mund të çonte thasët me para. Pse hyri (FBI-ja) në Zvicër? Sepse ishte i vetmi vend neutral. Në asnjë vend tjetër të Bashkimit Europian nuk ndërhynin dot. Pritën sa të mblidheshin në Zvicër”, ka thënë Artan Hoxha./Halit Delibashi-Sport Ekspres/