“Aman të lutem na fut në stadium”, Imami tregon tifozët dhe kthimin e Vllaznisë: Vetëm nga sponsori

Alban Xhaferi është padyshim një nga arsyet kryesore se përse Vllaznia po kthehet te rezultatet pozitive. Kjo nuk është një teori, por vërtetohet lehtësisht nga vetë protagonistët e shkodranëve dhe njëkohësisht nga faktet kokëforte që vijnë me shifrat e statistikat. Në një Vllazni që vitet e fundit po endej në vendet e fundit të renditjes, menjëherë pas ardhjes së sponsorit që ishte Alban Xhaferi vijnë edhe fitoret radhazi të Vllaznisë që tanimë ka mbërthyer vendin e parë.

I ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” këtë e ka pranuar edhe Eni Imami. Futbollisti i shkodranëve e ka thënë qartësisht se nëse Xhaferi nuk do të ishte afruar te Vllaznia atëherë edhe futbollisti në fjalë nuk do e kishte hedhur firmën në kontratë.

“Ajo që është ndryshe të Vllaznia është afrimi i sponsorit, nëse nuk do të ishte, atëherë nuk do të vija te Vllaznia. Kam pasur mundësinë që të punojë me Ilir Dajën që më ka ndihmuar shumë. Edhe trajneri aktual i Vllaznisë është shumë pozitiv. Madje edhe ata lojtarë që nuk luajnë e duan shumë. Gjithmonë na thotë që gaboni, kënaquni dhe luani pasi është thjesht një sport. Tifozët shkodranë? Gjëja kryesore që kërkojnë kur më ndalojnë rrugës është: “Aman të lutem na fut në stadium”, u shpreh Imami. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *