Albi Alla u rikthye titullar në ndeshjen e kthimit me Valetën në Maltë. Qendërmbrojtësi ka komentuar për “Supersport” aventurën europiane dhe beson se më rëndësi ka që skuadra të marrë rezultat sesa të dhurojë spektakël në lojë. Në anën tjetër, Alla thekson se dhe Karabakun do të kërkohet fitorja duke besuar se ai dhe Kukësi mund të arrijnë dhe grupet e Europa Leagues.
CURIA NË EUROPË – “Është diçka pozitive për ekipin e Kukësit dhe urojmë të kemi vazhdimësinë. Kemi një ekip të ri dhe besoj se dita ditës po gjejmë veten. Me ardhjen e trajnerit Cungut do të gjejmë dhe qetësinë e duhur dhe do kemi moralin që duhet. Në këtë kompeticion është më e rëndësishme të marrësh kualifikimin, pasi vjet Kukësi bëri një lojë shumë të mirë dhe u eliminua”.
ANA PERSONALE -“Unë jam gati të jap më të mirën time për skuadrën. Zgjedhjen e bën trajneri. Unë kam për detyrë që të bëj më të mirën sa herë që të aktivizohem”.
KARABAKU – “Është një ndeshje e fortë. Ne do të kërkojmë fitoren dhe uroj që të kemi dhe fatin e zotin me veten. Ne shohim ndeshjen e radhës dhe t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe më pas të shohim se deri ku do të shkojmë. Uroj që të arrijmë grupet”.