Për mbrojtësin kosovar të Skënderbeut, fitorja në transfertën e sotme është detyrim, jo vetëm për të lënë pas dy humbjet e fundit
Leonard Trebicka
Skënderbeu është ekipi më i mirë në Shqipëri. Kemi bërë diferencën në fushë me rezultate dhe kam shumë besim se pas fitores në Lushnjë do të zyrtarizohemi kampionë, – thekson mes të tjerash në intervistën për Sport Ekspres mbrojtësi Fidan Aliti. Kosovari jep gjykimin e tij edhe për nivelin e Superligës, ku thekson se janë 3-4 skuadra me shumë kualitet, me Skënderbeun më lart se të tjerët. Ja intervista e plotë e Fidan Alitit:
– Aliti, luani në Lushnjë nesër (sot) pas dy humbjeve radhazi dhe ndoshta fitorja ju shpall zyrtarisht kampionë?
– Besoj që do të jemi kampionë me fitore, por nuk është vetëm në dorën tonë. Varet edhe nga ndjekësi ynë më i afërt, Kukësi. Ne do të bëjmë punën tonë dhe do të shkojmë në Lushnjë vetëm për fitore, për ta mbyllur këtë çështje.
– Duket e lehtë kjo ndeshje në letër. Po ju, si mendoni?
– Nuk mund të them se do ta fitojmë këtë ndeshje pa probleme. Ne jemi favoritë, nuk diskutohet, por duhet të fitojmë në fushë, duke e respektuar kundërshtarin. Jemi ekipi më i mirë në Shqipëri, ku kemi bërë dhe do të bëjmë diferencën në fushë.
– Nëse ju fitoni dhe Kukësi humbet, shpalleni kampionë. Si po e prisni personalisht këtë trofe?
– Kukësi luan pas nesh, kështu që duhet të fitojmë ndeshjen tonë pa probleme, pastaj do të ulemi të presim ndeshjen e tyre për të mësuar nëse do të jemi apo jo kampionë që nesër (sot). I kam përjetuar emocionet e titullit kur kam luajtur me Sherifin e Tiraspolit në Moldavi, madje kam fituar edhe Superkupën atje. Ky është titulli i dytë kampion që fitoj në karrierën time. Normalisht, kam shumë emocione, sepse po fitoj në Shqipëri. Është shpërblimi për atë që kemi bërë gjatë gjithë sezonit.
– Keni muaj që po luani titullar në mbrojtje, pas mungesës së Jashanicës…
– Jashanicën e kam mik dhe i uroj më të mirat. Por nuk kam zënë vendin e tij, sepse shumë herë kemi luajtur edhe bashkë me “Jashën”. Kur ka konkurrencë në skuadër, gjithmonë është mirë edhe për Skënderbeun. Ndjehem shumë mirë.
– Aliti, a mund t’i fitojë Skënderbeu të dy trofetë këtë sezon?
– Them se po. Por të mbyllim së pari titullin kampion dhe më pas të mendojmë për finalen e Kupës së Shqipërisë.
– Cilat janë marrëdhëniet tuaja me lojtarët e tjerë?
– Jemi një grup i shkëlqyer, por edhe një grup i vogël kosovarësh te Skënderbeu. Bashkë me Jashanicën, Abazin, Gavazajn, ia kalojmë vërtet bukur. Ky grup që ka Skënderbeu është vërtet shembull.
– Këto dy javë të fundit keni pësuar dy humbje. Pse?
– Me Kukësin them se ishim pa fat në shtëpinë tonë dhe pësuam një gol në fundin e ndeshjes, kurse në Laç nuk e di as vetë çfarë ndodhi. Ti harrojmë këto ndeshje dhe të përqendrohemi maksimalisht te ndeshja e radhës.
– Pse ai lëshim në Laç, kur kryesonit 0-2 dhe pësuat 3 gola?
– Besoj se ka qenë thjesht një moment i keq. Fituam pjesën e parë, ndërsa pjesa e dytë na vuri në gjumë. Laçi e fitoi atë ndeshje dhe për ne është mbyllur ajo histori.
– Cila është e ardhmja e Alitit?
– Kam edhe një vit kontratë me Skënderbeun. Mendoj dhe jetoj 100% vetëm për Skënderbeun.
– Keni besim se CAS-i do ta heqë dënimin 10-vjeçar?
– Nuk mendoj për atë çështje, pasi ka kush mendon. Në klub ka njerëz përgjegjës që merren me atë që do të ndodhë, unë kam për detyrë vetëm të luaj dhe të jap më të mirën.
– Në listën e lojtarëve që mund të shiten jeni edhe ju…
– Po, ka interes për mua, e di edhe vetë, pasi ka disa oferta. Por nuk ka gjë konkrete dhe tani mendoj vetëm për këtë fanellë.
– Veç Shqipërisë, keni luajtur edhe në Zvicër, Moldavi dhe Kroaci. Si do ta vlerësonit Superioren?
– Janë 3-4 skuadra me shumë kualitet, këtë e them me bindje të plotë. Skënderbeu është shumë më lart se të tjerët, nuk krahasohet, sepse kemi një skuadër vërtet europiane.