Trajneri legjendar Aleks Ferguson është përmendur, pas operacionit në tru për një hemorragji cerebrale.
Skocezi i famshëm më në fund duket se e ka fituar betejën me vdekjen dhe sapo është përmendur, ka bërë një pyetje që ka shtangur të gjithë: “Si doli Donkasteri?”.
Megjithatë, pyetja e tij nuk ishte përçart. Ferguson u transportua me urgjencë për në spital pak orë para se Donkasteri të luante kundër Uiganit, në ndeshjen e fundit të Ligës 1 angleze, ndërkohë që Donkasterin e drejton i biri i Aleksit, Darren Ferguson.
Ish-trajneri i Junajtid, tashmë 76 vjeç, më pas ka nisur të bëjë shaka me familjarët e tij, duke u thënë se kishte në plan që të fluturonte për në Kiev, për të parë finalen e Champions League mes Realit e Liverpulit. Në fakt, mjekët i ndaluan të shkojë në stadium të shtunën për finalen e Kupës FA mes Mançester Junajtid dhe Çelsit, ndaj Ferguson e priti me një batutë: “Dakord, është shumë herët. Po pas dy javësh në Kiev, a mund të shkoj?”.