Maks Alegri nuk ikën dot nga Juventusi. Trajneri kampion i Italisë ka një mision për të përmbushur dhe ai quhet Champions League.
Ndonëse ka kontratë deri në 2020, trajneri i njohur kishte lëshuar shpesh mesazhe të paqarta, duke i dhënë ultimatum klubit se do të qëndronte vetëm me kushtet e tij dhe me rinovim të skuadrës sipas planit të tij. Sot drejtuesit e Juves janë takuar me Alegrin dhe pas një bisede të gjatë, kanë rënë dakord që raporti të vijojë, edhe pse pa rinovim kontrate. Juve i premton Alegrit përforcime dhe një prej tyre është Emre Xhan. Mesfushori i Liverpulit, një ndër yjet e kësaj skuadre, përfundon kontratën në verë dhe javën e ardhshme do të firmosë për Juven, për 5 milionë euro në sezon.
I dëmtuar prej dy muajsh, Xhan zor se luan në finalen e Champions League dhe lë një boshllëk të madh të Liverpuli, që gjithsesi i ka marrë masat, sepse ka blerë Nabi Keita nga RB Lajpcig.