Akuzoi se Munishin e shkarkuan njerëzit e Skënderbeut, reagon Fakiç: Nuk më ka ndodhur për 5 vite në Korçë

Shkarkimi i Ismet Munishit nga Ballkani ka ndezur edhe reagime në Kosovë. Trajneri Afrim Tovërlani akuzoi se ky vendim erdhi nga “njerëzit e Skënderbeut”, duke hedhur kështu një shigjetë drejt Haris Fakiç. Ky i fundit është pjesë e badhekuqve, por ka nisur një bashkëpunim me klubin nga Suhareka për transferim lojtarësh.

Fakiç ka vendosur të reagojë për fjalët e përhapura për të në një intervistë me “Indeksonline”. Ndër të tjera menaxheri ka deklaruar se shkarkimi i një trajneri nuk i ka ndodhur në 5 vite te Skënderbeu, duke hedhur poshtë kështu pistën se ka ndikur te presidenti Kabashi për largimin e Munishit, për të cilin shprehet se ndjen respekt.

“Normalisht që nuk më vjen mirë që më fajësojnë mua dhe më bëjnë shkaktar kryesor për atë ngjarje. Besoj se fakti që unë jam parë kohët e fundit në stadiumet e Kosovës së bashku me presidentin Arsim Kabashi, të cilin e kam mik dhe jemi duke bashkëpunuar për të ardhmen në aspektin sportiv. Nuk është vetëm ai, unë kam bashkëpunim edhe me presidentin e Trepçës ’89, Abedin Zeka, në nivel klubesh por unë jam vetëm menaxher që ndihmoj lojtarët të bëjnë lëvizje të ndritshme.

Unë nuk ndërroj trajner, as nuk kam ndërruar kurrë në karrierën time profesionale. Kjo nuk ka ndodhur kurrë te Skenderbeu ku kam punuar për 5 vite, e akoma më pak në klube tjera. Trajnerët janë ndërruar vetëm si mungesë e rezultateve dhe vetë natyra e punës me të cilën merren. Në fund këtë ekskluzivitet e ka vetëm e vetëm presidenti i klubit.

E vetmja punë që kam bërë te Ballkani deri në këto momente është afrimi i dy ish-futbollistëve të Skënderbeut, Bajram Jashanica dhe Nazmi Gripshi. Po ashtu afrimi në formë huazimi i Mirlind Dakut nga Osijeku, të cilin e menaxhon Shkumbin Qormemeti, me këtë të fundit kam relacione dhe bashkëpunim të ngushtë.

Unë kam respect të madh për Ismetin. E respektoj punën që e ka bërë në të kaluarën sepse ka ndihmuar shumë lojtarë poashtu edhe klubet ku ka punuar. Megjithatë duhet që t’i ndajmë gjërat. Puna është e tillë ku nganjëherë ndikon që shkaku i natyrës së punës edhe shoket e ngushtë ndajnë rrugët. Duke e pasur parasysh që kam qëndruar disa herë me Ismetin, ai e di më së miri kush jam unë dhe si jam. Ne njihemi para Ballkanit edhe kemi bashkëpunuar dhe besoj që ky bashkëpunim do të vazhdojë në të ardhmen sepse ne jemi profesionistë dhe shikojmë interesat tona. Nuk dëgjojmë opinionet e ndryshme apo spekulimet”, ka deklaruar Haris Fakiç./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *