Sulejman Mema drejton Shoqatën Rajonale Tiranë, një nga ato të përfolurat si shkelëse të ligjit, sepse nuk janë regjistruar në gjykatë. Debat i egër, aq sa është përmendur edhe hetimi e kërcënimi me burg, por Mema, me qetësinë e tij karakteristike, nuk përfshihet në polemika dhe e thotë qetësisht mendimin e tij. Një nga personalitetet e futbollit shqiptar, Mema edhe prononcimin nuk e ka fort me qejf, pasi siç thotë edhe vetë, “preferoj të merrem me stërvitjen e fëmijëve, sesa me debate të tilla boshe”.
AKUZAT – “Më vjen turp që dëgjoj kaq shumë debate dhe aq më shumë që përfshihet edhe emri im dhe përmendem në mënyrë indirekte. Po bëhet një zhurmë e madhe në lidhje me këto zgjedhje dhe më duket se po ekzagjerohet, po kalohen limitet”.
SHOQATAT – “Unë jam njeri i sportit, jam përditë në stërvitje dhe as nuk kam kohë që të merrem me të tilla debate. Unë jam prej 8 vitesh te Shoqata amatore e futbollit në Tiranë, por nuk jam jurist, vendosin organe të tjera nëse ka probleme me regjistrimin e shoqatave. Nëse do të konsiderohen të ligjshme, atëherë për mua nuk ekziston asnjë problem, në të kundërt nuk do të votoj. Unë zbatoj ligjin dhe rregullat, do të zbatoj çdo vendim që do të merret, deri atëherë nuk më intereson të merrem me këtë histori dhe më vjen keq që përfshihem në debate të tilla. Rëndësi ka që shoqata ku bëj unë pjesë dhe shoqatat e tjera janë marrë me sport, nuk është se kanë shkelur rregulloret e federatës apo ligjet e shtetit”.
POLITIKA – “Për të thënë të drejtën, disa gjëra nuk shkojnë në gjithë këtë histori, sepse po flitet gjithnjë e më shumë për politikë, bashki, prokurori, ndërkohë që askush nuk flet për thelbin e çështjes, këtu bëhet fjalë për futbollin dhe qeverisjen e tij. Kemi pasur edhe më herët probleme të tilla dhe UEFA e FIFA kanë ndërhyrë, nuk është çudi që të kemi sërish një ndërhyrje prej tyre, sepse vetë e kemi të vështirë të merremi vesh e të zgjidhim gjërat”.