Akuzat e fundit për transferime të dyshimta dhe bllokimin e llogarisë bankare, FSHF vjen me reagim zyrtar

Reagimi i FSHF

Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë opinionin publik dhe mediat në lidhje me një trillim të fabrikuar ditën e sotme në gazetën “Panorama Sport”. Në këtë artikull, ku predominon shantazhi dhe që përbaltja shitet si profesionalizëm, thuhet se FSHF-ja gjendet në kolaps financiar, me rrogat që kalojnë me vështirësi prej muajsh, se llogaritë bankare të institucionit të futbollit në Shqipëri janë të bllokuara apo paratë që vijnë nga UEFA për klubet kalojnë në llogari të dyshimta. Shprehim keqardhjen më të thellë për degjenerimin e kësaj media që po përdoret nga botuesi si mashë për të goditur dhe përbaltur institucionin e futbollit shqiptar. Prej muajsh kemi refuzuar t’i përgjigjemi fletërrufeve që vinin nga kjo media, sepse fokusi jonë e energjitë tona janë të orientuara te puna dhe jo përgjigja ndaj presioneve apo tentativave për gjobëvënie.

Federata Shqiptare e Futbollit informon se në artikullin e publikuar ditën e sotme nuk ka asnjë të vërtetë të vetme! Llogaritë e FSHF-së në bankat e nivelit të dytë në vend nuk janë të bllokuara dhe kjo mund të vërtetohet lehtësisht nga kushdo. Në të njëjtën kohë dëshirojmë të saktësojmë se në marrëdhëniet e Federatës së Futbollit me anëtarët e saj, në asnjë rast të vetëm, nuk ka pasur transfertë bankare në llogari private apo të dyshimtë, siç pretendon kjo media. Çdo transfertë bankare është kryer në llogaritë zyrtare të klubeve. Institucioni i futbollit në vend është ndër të paktat institucione që të gjithë veprimtarinë financiare e kryen nëpërmjet sistemit bankar, duke qenë transparent dhe duke paguar çdo detyrim ndaj autoriteteve shtetërore. Federata nuk ka asnjë konflikt apo detyrim ndaj asnjë Zyre Përmbarimore në Republikën e Shqipërisë dhe aq më pak të ketë ndonjë kolaps financiar siç pretendohet në fletërrufenë e sotme.

Më e pakta që fletushka “Panorama Sport” do duhej të bënte, ishte të kontaktonte Departamentin e Marrëdhënieve me Publikun në FSHF për një reagim në lidhje me këto akuza të pretenduara. Në asnjë moment nuk ka mbërritur një kërkesë për informacion. Ky do duhej të ishte minimumi në respekt të gazetarisë. Federata Shqiptare e Futbollit është e përkushtuar për të vijuar misionin e saj për përmirësimin dhe rritjen e mëtejshme të futbollit shqiptar, duke përmirësuar infrastrukturën, duke punuar për futbollin e fëmijëve dhe femrave, për rritjen e kapaciteteve njerëzore në tregun e futbollit. Ne nuk kemi kohë për të humbur me shpifje dhe tentativa gjobëvënëse nga individë apo media që kanë interesa okulte. Federata Shqiptare e Futbollit është e detyruar t’u drejtohet organeve të drejtësisë për t’i dhënë fund këtyre praktikave përlbaltëse ku nuk mbahet përgjegjësi për dëmin që i shkaktohet institucionit dhe futbollit shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *