Akuzat e Atletikos së Madridit për golin e anuluar të Alvaro Moratës nuk kanë fund. Ekipi i Simeones mposhti Juventusin në ndeshjen e parë me golat e Himenez dhe Godin, por ndërhyrja e VAR-it dhe vendimi i arbitrit gjerman për ta cilësuar si faull golin kanë acaruar klubin spanjoll.
Gil Marin, administratori i deleguar i Atletikos, i është rikthyer episodit në fjalë, duke lëshuar thumbime të forta ndaj Juventusit dhe… Realit të Madridit!
AKUZA – “Atletiko nuk duhet të jetë pak më e mirë, por shumë superiore për të fituar përballë Juventusit dhe Realit të Madridit. Shkaku? Të gjithë vendimet e dyshimta janë gjithmonë në favorin e tyre! Jam një mbrojtës i fortë i VAR-it, besoj te ndershmëria e arbitrave, por sigurisht që nuk kemi patur fat në interpretimet e kohëve të fundit.”
EPISODI – “Në aksionin e golit të anuluar është shumë e qartë që eksperienca e mbrojtësit të Juventusit ishte e mjaftueshme për të mashtruar arbitrin. Unë bisedova me Moratën dhe është e qartë se nuk ishte faull, por duhet të respektojmë vendimin e arbitrit. Një arbitër me përvojë i VAR-it duhet të dijë të interpretojë aksionin, por ndonjëherë vendimet merren në bazë të historisë së klubeve.”