Julian Ahmataj ka bërë një punë shumë të mirë te Luftëtari, teksa në katër ndeshjet e para ka fituar nuk njeh ende humbje dhe ka marrë në dy takime tri pikët. Trajneri i skuadrës gjirokastrite foli për emisionin “Zona Gol” në “Supersport”.
“Unë e kam deklaruar dhe më parë në media që neve trajnerëve të rinj nuk na jepet shansi për të bërë një skuadër të tyren. Na duhet të marrim ekipe që janë në vështirësi dhe të punojmë me ato që kemi, derisa të shpërblehemi më pas me një projekt më të mirë”.
“Ka disa lloje mënyrash se si trajnerët e fillojnë karrierën e tyre. Disa lojtarë me eksperiencë iu besohet skuadra menjëherë pasi e lënë karrierën , të tjerë marrin poste në një ekip zinxhirë, ndërsa të tretët e vazhdojnë gjithçka nga kategoritë e ulëta, me dhe ngjiten shkallë shkallë”
“Duhet të vazhdojmë të punojmë fort dhe me shumë sakrificë. Kemi bërë ndeshje të mira, por kemi shumë punë për të bërë. Tani te Luftëtari nëse një lojtar ka probleme me pagesat i kemi thënë që t’i drejtohen institucioneve përkatëse ligjore. Nuk dua që të shoh lojtarë që neglizhojnë në stërvitje për shkak të këtij problemi. Futbollistët s’duhet të abuzojnë me këtë”.
TEUTA – “Kundërshtari ishte shumë cilësorë. Ndeshja ishte e një shkalle shumë të lartë vështirësie. Kishim në mbrojtje mungesën e Rustem Hoxhës. Në vend të tij aktivizova Nezirin, që ka luajtur pak në tre muajt e fundit, por ai bëri një punë të mirë. Me kalimin e minutave dolëm në lojën tonë. Teuta na vuri në vështirësi, duke përdorur shtatlartësinë e skuadrës. Duke përdorur atë lloj loje ata morën dhe një penallti që fatmirësisht portieri e priti”.
ARDIT HOXHAJ – “Ne kishim në organikën tonë dhe Ardit Hoxhajn, pasi ishte aktivizuar me skuadrën e Skënderbeut. Më vjen keq për Arditin, pasi ai do të na ndihmonte shumë. Kjo pjesë i takon juristëve të klubit. Drejtuesit menduan se ekzistonte një mundësi për transferimin e tij, por më pas rezultoi e pamundur”.
“Ne problemin e kemi për skuadrën tonë. Ne kemi gjetur brenda grupit lojtarë që s’kishin gjetur mundësi për të luajtur dhe ishin bërë pesimistë. Tani kemi rezultate me skuadra që janë mbi ne në renditje”, përfundoi Ahmataj.