Ahmataj: Përgjegjësia ime, u sollëm shumë keq

Trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj, ka provuar shijen e humbjes për herë të parë që kur ka marrë drejtimin e gjirokastritëve. Për “Gol pas goli”, Ahmataj ka komentuar paraqitjen e dobët ndaj Kukësit në 45 minutat e para dhe ndryshimin në pjesën e dytë.

“Përgjegjësinë për rezultatin e marr unë, skuadra nuk ishte e përqendruar dhe e mbledhur pas. Euforia, sado të mundohemi, ndikoi në ekip dhe skuadra ishte shumë e gjatë. Kam faj unë, sepse më takon mua ta mbledh skuadrën dhe të gjej ekuilibrat. Luajtëm pjesën e parë më të dobët që kur kam marrë drejtimin, bëmë ndryshime më pas, por nuk patëm rrezikshmëri para portës kundërshtare”.

Formacioni: “Nuk do ndryshoja asgjë, po të kthehesha pas. Kishim mungesa, duke nisur nga Aleksi, por kjo nuk është primare, sepse nuk ka lojtarë të pazëvendësueshëm. Mungoi grinta e Aleksit dhe i mungoi gjithë ekipit. Nuk duhej të ishim sjellë në atë mënyrë në fushë”.

Euforia: “Është problem, ajo vjen edhe nga klubi, ambienti, ndoshta u mendua se u arrit mbijetesa në ndeshjet e fundit, diçka shumë e gabuar. Lojtarët ndoshta e kishin ulur përqendrimin dhe rendimentin falë rezultateve pozitive dhe për këtë jam përgjegjës unë, jo lojtarët. Trajneri dhe klubi duhet t’i mbajnë me këmbë në tokë. Në të shkuarën kemi bërë gola edhe me skema të studiuara, ndërsa sot pësuam një gol të tillë nga Kukësi, çka tregon se nuk ishim fare në lojë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *