Ansi Agolli vinte si kundërshtar për të parën herë në Shqipëri. Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë ka komentuar për “Sport Ekspres” emocionet e ndeshjes ndaj Kukësit. Në të njëjtën kohë nuk ka anashkaluar dhe komentin për verilindorët, duke i analizuar këta të fundit. Mbrojtësi i Karabakut e pranon se ishte një emocion i veçantë që të luante ndaj një kundërshtari shqiptar.
Sa emocionuese ishte të luaje në Shqipëri si kundërshtar?
Pa diskutim që ishte emocionuese, vija për herë të parë në Shqipëri si kundërshtar. Kisha ndjenja të përziera, ishte diçka që nuk e kisha provuar më parë. Në fillim e çuditshme, pastaj nisi ndeshja dhe gjithçka kaloi.
Si ishte ky rikthim për Ansin në “Loro Boriçi”?
Kam luajtur shumë ndeshje në Shkodër, me kombëtaren e me Tiranën, jam mësuar aty.
E prisnit një Kukës kaq të organizuar në fazën mbrojtëse?
Kaq kompakt e prisja, nuk ka ekipe të lehta në turin e dytë kualifikues dhe vështirësitë sa vijnë e shtohen. E prisnim që të kishim përballë një rival shumë të organizuar, tani kemi edhe 90 minuta në shtëpi.
Sa i kënaqur jeni nga ky rezultat?
Jo i keq, nga eksperienca që kemi, por duhet kujdes i madh, sepse çdo skuadër në këto nivele është shumë e organizuar dhe Kukësi do të mundohet të na godasë.
Nëse do shënonit, do kishit festuar?
Emocionuese, nuk e mendoja aq larg.
Si duket ky Kukës?
Nuk e di se çfarë mund të ndodhë më tej me Kukësin, si skuadër e respektojmë shumë dhe kemi ende një ndeshje për të luajtur, nuk e shohim si rival të kaluar.
Intervistoi: JURGEN ZELA