Ansi Agolli ishte në listën e skuadrës së Kristian Panuçit për dy ndeshjet me Izraelin dhe Skocinë. Mbrojtësi i majtë, ndonëse i graduar si kapiten, i ndoqi të dyja ndeshjet nga stoli pas rikthimit në Kombëtare.
Gjithsesi, ajo që ra në sy ishte fakti se si para ndeshjes me izraelitët, ashtu dhe me skocezët, Agolli ishte përkrah trajnerit në konferencat prag ndeshjes. Trajneri kishte marrë shumë kritika, sa i përket eksperimenteve të dështuara në pozicionin ku luante Agolli. Edhe pse e riktheu kapitenin në skuadër, më shumë duket se ishte një kthim për të evituar të tjera sulme për këtë temë.
Ndoshta edhe në këtë rast nuk ishte shumë korrekte diçka e tillë pasi kapiteni meriton më shumë respekt, sesa thjeshte të japë prononcime për mediat. Agolli vetë, si gjithnjë preferon që t’i evitojë polemikat dhe në konferencën e fundit u shpreh se pak rëndësi kishte nëse i vinte keq atij apo jo që nuk luante.
Binaku ishte zbulimi i këtij grumbullimi dhe nuk duhet lënë larg vëmendjes, edhe pse në Gllazgou mund të kishte bërë më mirë, megjithatë edhe kjo sjellje me Agollin ndoshta duhet parë.