Agolli: Bëmë diçka të madhe, tani mbetet qershia mbi tortë!

Kapiteni i Shqipërisë: “Gëzuam njerëzit tanë, por tani mbeten dy ndeshje të tjera të mëdha. Nuk vendosim kufij, edhe pse e dimë se kush jemi. Skënderbeut i uroj fat në Beograd, mund t’ia dali. Bare? Nuk e takova dot”

Intervistoi: ANTON CICANI

“Nuk kam vënë sy gjithë natën…”. Ansi Agolli emocionohet si fomi, edhe pse tashmë vitet kanë ecur edhe për të. Kapiteni i Shqipërisë ka vendosur një tjetër arritje në koleksionin e tij. Këtë herë, duke barazuar në një fushë që këto vitet e fundit ka qenë fortesë e vërtetë, përballë një skuadre që dy herë ka shkuar në finalen e Champions League. Dhe, për më tepër me dhjetë futbollistë. Ansi e përjetoi në fushë, aty ku i dukej sikur nuk mbaronte ndeshja. Në intervistën për “Sport Ekspres” rrëfen emocionet.

A është kjo një nga ndeshjet më të bukura që ke luajtur në karrierën tënde me klube?

Sigurisht që po. Bën pjesë në një nga ndeshjet më të bukura, por edhe të vështira që kam hasur ndonjëherë. Sepse, që në minutën e 57-të luajtëm me dhjetë futbollistë. Dhe, të përballesh me Atletiko Madridin me dhjetë futbollistë është e vështirë. Eshtë e vështirë të përballesh me 11-të dhe jo me një më pak. Megjithatë, në fund ia dolëm të merrnim atë që dëshironim.

Sa e madhe ishte frika se mund ta pësonit në fund?

Natyrisht, kur luan kundër një skuadre që ka në sulmin e saj futbollistë që kushtojnë dhjetëfish sa është edhe vlera në merkato e Karabakut, e di që mund të presësh pësimin e golit, por fakti është që ne gabuam shumë pak, për të mos thënë fare. Dhe, nëse do të kishim shënuar në fillim të pjesës së dytë, mendoj se nga Madridi do të ishim larguar me një sukses historik.

Duke përjashtuar sfidën me Çelsin, keni treguar se jeni kockë e fortë dhe një skuadër që nga viti në vit është rritur mjaftueshëm. T’i ndodhesh aty prej disa sezonesh. Kush është sekreti?

Praktikisht, duke u kualifikuar në kupat e europës dhe duke investuar, kemi krijuar një grup me mentalitet fituesi. Kemi disa lojtarë cilësorë dhe që na japin mundësi të hedhim atë hap më shumë. Por, më duhet të theksoj se më e rëndësishmja është që jemi të bashkuar.

Të bashkuar, si tifozët, që kishin udhëtuar nga Azerbajxhani…

Fantastikë. Ky barazim shkon edhe për ata, duke qenë se janë zemra jonë dhe e dimë mjaft mirë se sa kanë vuajtur.

Keni edhe dy ndeshje dhe jeni në vend të katërt, me dy pikë. Çelsi dhe Roma, dy stacionet e fundit. Besoni te mrekullia e vendit të dytë, apo do të synoni Europa League?

Asnjëherë mos vendos kufij. Përballë Çelsit, në fushën tonë, do të japim më të mirën. Më pas, nëse nuk ia dalim, do të thotë se nuk mundëm të bënim më shumë se sa aq. Do të jetojmë sipas ndeshjeve, por objektivi më konkret është vendi i tretë, edhe pse do të luajmë dy ndeshje të mëdha.

Te Atletiko aktivizohet edhe Kejdi Bare, që sigurisht i bëtë një “surprizë të pakëndshme”. E takove pas ndeshjes?

Të them të drejtën e kërkova kudo në stadium, por nuk e gjeta. Por, pashë listën dhe vura re që as nuk ishe grumbulluar, ndaj edhe nuk pata mundësi. Do të jetë për njëherë tjetër ose, pse jo, në kombëtaren e madhe, sa më shpejt.

Ndërkohë, duke qëndruar te Europa, por te ajo “e vogla”, Skënderbeu u përball në stadiumin ku ti dhe kuqezinjtë e tjetër përjetuat praktikisht një nga mbrëmjet më të tensionuara të historisë së futbollit. Beogradi famëkeq…

Sa i përket atij stadiumi, të them të drejtën atë ndeshje e kujtoj edhe sot, sepse na dha më shumë forcë për të besuar te kualifikimi dhe bashkuar më shumë. Aty, Shqipëria përforcoi disa vlera dhe bindje.

Vitet kalojnë, por Ansi ngelet… Ansi. Atëherë, siç duket, keni bërë pakt të përjetshëm me rininë

(qesh) Ndoshta. Përtej shakave, vitet ecin dhe akrepat e orës që kam unë të paktën i shoh të lëvizin, por mundohem të jap më të mirën. Dhe, siç kam thënë, sa të kem fuqi që ta bëj, do të vazhdoj. Më pas, kur të vijë momenti, do të jem unë ai që do të ndalem. Fundja, kështu funksionon për të gjithë.

Nga Karabaku te kombëtarja… Mendon se me Panuçin jeni në rrugën e duhur?

Tani të mendojmë për klubin, më pas do të ketë kohë për kombëtaren.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *