Edhe pse jemi në fundin e muajit korrik, situata tek Vllaznia vijon të jetë ajo e fundit të majit. Ndeshja e javës së fundit të kampionatit të kaluar 2017-2018 të cilën kuqeblutë e luajtën në transfertë me Skënderbeun, ka qënë kontakti i fundit që futbollistët kuqeblu kanë pasur me njëri-tjetrin, sepse që prej asaj dite skuadra është shpërbërë.
Në pamundësi të një kontakti me drejtuesit, kur në fakt asnjëri prej tyre nuk figuron të jetë në detyrë, sepse që të gjithë janë të dorëhequr, futbollistë të ndryshëm kanë nisur të kërkojnë fatin e tyre në skuadrat e tjera. Kalaja, Çinari, Vucaj e ndonjë tjetër, përfshirë këtu edhe jabanxhinjtë, nuk kanë vonuar të firmosin brenda dhe jashtë vendit.
Nga ana tjetër, një pjesë tjetër, që në fakt është edhe grupimi më i madh i kontigjentit kuqeblu, kanë vendosur t’i qëndrojë besnik skuadrës të zemrës. Të paktën, kështu mendojnë ata, pasi realisht deri më tani nuk kanë asnjë sinjal nga ana e klubit kuqeblu rreth riorganizimit të Vllaznisë.
Burime pranë bashkisë Shkodër, që është edhe pronarja e vetme e klubit të futbollit Vllaznia, bënë të ditur pak ditë më parë se titullarja Ademi, në bashkëpunim me stafin e vet, kishte përzgjedhur njerëzit e preferuar që do të merrnin drejtimin e posteve kryesore të kuqebluve. Konkretisht, gjithnjë sipas burimeve të brendshme të bashkisë, Suad Liçi ishte projektuar në postin e administratorit, Alban Neziri në postin e drejtorit sportiv, si dhe Ervis Kraja si trajner i parë i Vllaznisë. Opinioni sportiv shkodran priste që treshja në fjalë, Liçi-Neziri-Kraja, por edhe plotësimi i Bordit Mbikqyrës Vllaznia me ardhjen e Lazër Matisë, aktualisht president i Vllaznisë në futboll për femra, të bëhej publik në mbledhjen e Këshillit Bashkiak organizuar mbrëmjen e së enjtes, por një gjë e tillë nuk u bë realitet. Pikat dhe diskutimet rreth rendit të ditës ishin të shumta, por për futboll nuk u fol fare. I vetmi element sportiv në mund të quhet i tillë ishte diskutimi i këshilltarit socialist, Ali Tula, i cili në kuadrin e disa problemeve të ngritura që shqetësojnë qytetarët shkodranë për probleme të ndryshme, përfshiu edhe atë të Vllaznisë. Konkretisht ai kërkoi të dinte nga kryetarja e Bashkisë Shkodër diçka rreth fatit të skuadrës kuqeblu, e cila sipas tij me këtë heshtje totale prej sa kohësh rrezikon të ketë probleme serioze me vazhdimësinë.
Pavarësisht emrave të përfolur, do të jenë këta apo të tjerë, kjo nuk ka shumë rëndësi. E rëndësishme është që vendet vakante të plotësohen dhe të nisin kontaktet me futbollistët e piketuar për sezonin e ri futbollistik, sepse çdo vonesë në këtë drejtim mund të jetë me pasojë shumë të rënda për të ardhmen e kuqebluve.
Gaspër Marku