Nga Klaudio Ndreca
Të marrësh një futbollist kampion nga Manchester City për ta transferuar te Lacio, sigurisht që nuk mund të jetë një transferim i lehtë. Madje në dukje është i pamundur, pasi lacialët u kthyen në “Champions League” pas shumë vitesh mos prezence, ndërsa në takimet e fundit e treguan se nuk e kanë stofin e një skuadre të madhe.
Por Igli Tare po arrin transferimin që do ta dërgojë në qiellin e shtatë në mediat italiane dhe te tifozët e klubit, pasi po sjellë në Romë një kampion si David Silva. Për ta bindur këtë futbollist që të luajë me Lacion është menduar deri në detaje, ku përveç pjesës ekonomike do të ketë një apartament në qendër të kryeqytetit dhe një avion privat për t’i shkutuar distancën me familjen që ndodhet në Spanjë.
Transferimi është thuajse i mbyllur dhe pritet vetëm zyrtarizimi. Vetë babai i lojtarit, Fernando Jimenez, e ka pranuar një gjë të tillë. Por nga ana tjetër zbulon se David Silva tundohet nga ideja për të luajtur deri në 40-vjeç në elitën e Europës dhe këtë e mundëson vetëm Seria A, duke parë lojtarë si Zlatan Ibrahimoviç, Bufon apo edhe qendër mbrojtësi Bruno Alvesh, që nuk njohin moshë për të mbyllur karrierën.
“Silva e pëlqen shumë kampionatin italian dhe është i bindur se mund të luaj atje deri kur të shkojë 40-vjeç. Lacio? Do të isha shumë i lumtur nëse do të ndodhte. Megjithatë deri kur të vijë zyrtarizimi, nuk mund ta quajmë të mbyllur. Vetë do të dëshiroja që të kthehej te Valencia, por Silva është i bindur që aventura në La Liga ka mbaruar për të”. /Sport Ekspres/