Afrimi i këtij sezoni te Flamurtari, Lirim Mema, ka lënë pa përfunduar ndeshjen që po zhvillohet mes Kosovës U-21 dhe Anglisë U-21. Mbrojtësi i djathtë ka marrë një dëmtim serioz në gju dhe nuk ka mundur të vazhdojë dot ndeshjen, madje duke u shoqëruar me barelë. Gjatë largimit Mema ka pasur edhe lot për një nga ndeshjet më të rëndësishme që ka zhvilluar deri tani.
I shoqëruar edhe me duartrokitjet e tifozëve të shumtë që kishin mbushur shkallët e stadiumit nga ana e anglezëve, vendin e tij e ka marrë Arbnor Muja në minutën e 34. Padyshim ky është edhe një shqetësim për ekipin vlonjat, pasi dëmtimi dukej serioz dhe në fundjavë do të rinisin ndeshjet e Superiores. /Sport Ekspres/