Afrime në “paketë”, Laçit i vijnë përforcimet

Rexhinaldo, Ademir dhe Eskerda kanë mbërritur në Shqipëri dhe do të vihen në urdhrat e trajnerit Nica

Vladimir Prenga

Laçi është lënë pushim ditën e djeshme, por sot do të jetë në fushën e blertë për t’u përballur me skuadrën e Tiranës, në një sfidë miqësore që do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi” prej orës 17:00. Kjo përballje është e nënta për skuadrën e drejtuar nga Stavri Nica, që pak ditë më parë e pa skuadrën e tij në një sfidë me Ilirinë. Ndërkohë, ashtu sikurse pritej, ditën e djeshme kanë mbërritur tre lojtarët e afruar te Laçi, mbrojtësi Ademir Souza, mesfushori Maikon Eskerda dhe sulmuesi Rexhinaldo. Të tre këto lëvizje janë shumë të rëndësishme për kurbinasit dhe drejtuesit e stafi teknik presin shumë prej tyre.

TË AFRUARIT – Rexhinaldo do të jetë sulmuesi kryesor i skuadrës dhe e njeh mirë kampionatin, pasi vjet u aktivizua me Luftëtarin, ku spikati dhe gjatë kësaj vere pati disa oferta, por në fund pranoi atë të Laçit. Tetë gola shënoi vjet me gjirokastritët, ndërkohë që në Laç presin që ai të shënojë më shumë. Për krahun e djathtë të mbrojtjes ka ardhur Ademir, tre herë kampion me Skënderbeun. Për të është një rikthim te Laçi, pasi ka luajtur për gjashtë muaj në sezonin 2015-2016. Braziliani tjetër, mesfushori Maikon Eskerda, nënshkroi që verën e shkuar me kurbinasit, por një dëmtim në miqësoren me Besëlidhjen e detyroi të qëndronte për disa muaj jashtë fushave të blerta. Dëmtimin e ka kaluar dhe kishte nisur të luante në Brazil, ndërkohë që Laçi i bëri një ofertë dhe ai nuk refuzoi që të rikthehej në Shqipëri me dëshirën për të kontribuar për skuadrën e drejtuar nga Stavri Nica.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *