Rezultatet fantastike të arritura nga Tirana në periudhën e Egbos, kanë bërë që te ekipi shqiptar të kthejnë sytë edhe futbollistë që kanë luajtur më herët me Kombëtaren. Në emisione të ndryshme televizive shprehnin simpatinë e tyre për bardheblutë, madje duke lënë të hapur edhe mundësinë për një transferim të mundshëm.
Ndërkohë Refik Halili doli hapur për mundësinë e rikthimit të Jahmir Hykës, duke shprehur pëlqimin e tij, por me kushtin që kjo të mos ndodhte kur mesfushori i njohur të vinte drejt fundit të karrierës. Pra nëse do të vijë te Tirana, nuk duhet që të ndodhë shumë larg.
Në një intervistë për “Player On Focus”, Hyka ka premtuar besnikërinë e plotë në Shqipëri, duke thënë se do të kthehet vetëm për Tiranën. Por nga ana tjetër futbollisti 32-vjeçar kërkon që edhe për disa kohë të luajë larg Superiores.
“Synimi im është që të vazhdoj të luaj jashtë Shqipërisë edhe për disa kohë. Me Tiranën kam pasur dhe kam marrëdhënie shumë të mira, kështu që nëse unë do të vendos një ditë të rikthehem në Shqipëri, besoj se do të jetë ekipi i parë me të cilin do të bisedoj.
Në futboll nuk mund të bësh plane, aq më tepër me këtë situatën e krijuar tani, por shpresoj të jemi mirë me shëndet në rradhë të parë dhe të mos kemi dëmtime. Kam dëshirë që të luaj futbolli sa më gjatë që të jetë e mundur.
Kam edhe një këshillë për lojtarët e rinjë. “Ndonjëherë talenti nuk mjafton që të bëhesh një lojtar i mirë duhet shumë punë, sakrificë dhe vullnet për të arritur atë që doni”. Prandaj ata duhet të punojnë shumë dhe të mos mjaftohen vetëm me talentin”, tha Hyka. /Sport Ekspres/