Mesfushori ka firmosur prishjen e kontratës. Hungarezi dëshiron të largohet nga “demat”. Problemi mbetet vetëm te ekipi i Novarës
Më në fund! Partizani ka bërë një hap pozitiv në lidhje me çështjen e mesfushorit Kristjan Adorjan. Klubi i kuq kërkon ta largojë nga ekipi, pasi rroga e tij e frikshme prej 9 mijë eurosh në muaj ndikon në rëndimin e arkave të klubit. 24-vjeçari nuk ka arritur të bëjë diferencën në gjysmën e parë të sezonit dhe të kuqtë janë të bindur se duhet ta largojnë nga skuadra. Ata i kanë humbur shpresat te mesfushori. Ai ka luajtur 9 ndeshje si titullar gjysmën e parë të sezonit. Burime të ndryshme të “Sport Ekspres”, pranë klubit të kuq, bëjnë me dije se lojtari dhe klubi kanë arritur një marrëveshje mes tyre.
MARRËVESHJA – Partizani i ka propozuar futbollistit prishjen e kontratës. Ai ka rënë dakord me klubin e kuq dhe e ka firmosur atë, pavarësisht se ka hequr dorë nga një shumë e mirë parash. Hungarezi ka pranuar largimin nga kryeqyteti shqiptar, pasi edhe vetë është i mërzitur dhe nuk i pëlqen ambienti i “demave”. Të njëjtat burime saktësojnë se marrëveshja mes tyre ka qene e shpejtë dhe gjuha e përbashkët është gjetur shpejt. Megjithatë, pavarësisht dëshirës së dy palëve për të mos vazhduar më me njëra-tjetrën, ka një problem të madh që pengon largimin e 24-vjeçarit përfundimisht nga të kuqtë.
PROBLEMI – Novara vazhdon të jetë problem edhe pse Adorjan ka nënshkruar largimin. Klubi që ka në pronësi kartonin e tij nuk pranon rikthimin e mesfushorit në Itali. Ata nuk duan ta pranojnë hungarezin në skuadër, pasi i kanë bërë planet pa të. Italianët nuk janë munduar për t’i gjetur një ekip tjetër, apo zgjidhje çështjes, por thjesht kanë bllokuar lëvizjen.
Pala e Partizanit ka kërkuar të rihapë bisedimet me ta, por kanë gjetur vetëm “porta të mbyllura”. Italianët nuk janë bërë “të gjallë” edhe duket se Partizani duhet të mbajë Adorjanin deri në fund të sezonit. Të kuqtë nuk e kanë në plane, por duket se hungarezit do t’i duhet të luftojë për një vend në skuadër.