Ernest Muci, Marsel Ismajlgeci dhe Jurgen Celhaka ishte tre adoleshentët e kryeqytetit që luanin futboll për t’u dëfryer. Nuk kaluan shumë kohë dhe papritur këta djelmosha u kthyen në pikën e fortë të Tiranës.
“Tre musketjerët” nisën që të shkonin larg, aq sa shkëlqimi i dy prej tyre ra në syrin e Legias së Varshavës. Muci dhe Celhaka do të shkonin në gjigandët e Polonisë, ndërsa Ismajlgeci nuk arriti dot të shkëlqente më si më parë, pa dy shokët e tij.
Me kohën që kaloi dhe formën në rënie, kapiteni i bardhebluve nuk mund të firmoste më larg sesa Zrinjskin, ekipin boshnjak që eliminoi Tiranën nga Europa në sezonin e shkuar. “Erdha në klub si fëmijë dhe po iki si kapiten me një eksperiencë të jashtëzakonshme në klubin më të madh në Shqipëri duke fituar shumë tituj që nga moshat. Dy tituj kampion me ekipin e parë dhe një Superkupë si kapiten dhe jam shumë krenar që isha pjesë e këtij ekipi”, tha Ismajlgeci mes emocioneve. /Sport Ekspres/