Nuk ka ndëshkime te Vllaznia. Kryebashkiakja beson te skuadra dhe stafi teknik në ndryshimin e situatës. Kalimi i krizës kërkon qetësi dhe unitet në radhët e ekipit
Gaspër Marku
Situata në kampin kuqeblu nuk ka ku shkon më keq, por nuk do të ketë dënime. Ky është vendimi më i fundit i presidencës kuqeblu. Kur pritej, që Vllaznia e këtij sezoni, me një skuadër krejt tjetër, ku bien në sy emra potencialë të Superligës shqiptare, të ishte në pozita optimal të tabelës së klasifikimit është krejt e kundërta. Pesë pikët e marra në gjashtë ndeshje flasin për një situatë tejet problematike ku renditja në fund paralajmëron rrezikshmëri serioze edhe për mbijetesën. Humbja e pësuar të hënën në Kamzë ka krijuar një pesimizëm total në mjedisin sportiv shkodran. Të indinjuar jashtë mase për atë që po përjetojnë, sportdashësit shkodranë me të drejtë kërkojnë ndryshimin e situatës. Ata kurrsesi nuk pajtohen më gjendjen e krijuar. Sipas tyre, për këtë qytet me kaq traditë në futbollin shqiptar është e pafalshme që të vazhdojë të jetë në këtë gjendje.
Analiza – 24 orët e pas ndeshjes me Kamzën ku Vllaznia u mund 1-0 u shoqëruan me komente nga të ndryshmet, ku përpos diskutimeve në qytet, të shumtë ishin reagimet edhe në rrjetet sociale, duke shprehur hapur pakënaqësinë për gjendjen aktuale që po kalon Vllaznia. Të ndërgjegjësuar me situatën problematike që ka përfshirë ekipin e Vllaznisë, drejtuesit e klubit të futbollit Vllaznia dhe deri te numri një i qytetit, kryebashkiakja Voltana Ademi janë parë të jenë tepër të angazhuar për ndryshimin e situatës. Kryebashkiakja-presidente Ademi ka qenë e pranishme edhe në ndeshjen e fundit të Vllaznisë në Kamzë, duke u ballafaquar “live” me atë dështim të skuadrës në minutat e fundit, ku përpos barazimit që konsiderohej humbje, vjen edhe ai autogol, duke bërë që skuadra të kthehet me zero pikë nga kjo transfertë. Zonja Ademi ka preferuar të jetë vete prezente në analizën që skuadra zhvilloi pasditen e së martës në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”. Një analizë që për shumëkënd pritej të shoqërohej me ndëshkime dhe masa administrative, duke filluar nga futbollistët dhe deri tek stafi, duke mos munguar edhe lakimi i emrave të rinj për pankinën e Vllaznisë. Megjithatë, nuk mendojnë kështu drejtuesit e klubit, të cilët në unison me shefen e tyre, kryebashkiaken-presidente, mendojnë se nuk është koha për të tilla operacione. Në të kundërt, për to, zgjidhja vjen vetëm përmes qetësisë dhe maturisë në veprimet brenda dha jashtë skuadrës. Pasi, vetëm në këtë mënyrë mund të pretendohet rikthimi në normalitet. Ndaj, ka qenë vete kryebashkiakja Ademi që ka dalë hapur në mbështetje të skuadrës, duke u kujtuar atyre se sfidat kërkojnë maturi, që do të thotë se duke ruajtur qetësinë, shoqëruar me një mobilizim, përkushtim dhe vullnet maksimal në stërvitje dhe jashtë saj, ata mund ta kalojnë këtë situatë problematike. Këtë i ka kërkuar futbollistëve dhe stafit teknik duke u ofruar ashtu si edhe herët e tjera, mbështetjen maksimale të institucionit që ajo përfaqëson dhe të veten personale.
Motivimi i skuadrës – Ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen në këtë analizë, ka qenë motivimi që kreu i bashkisë, Voltana Ademi është përpjekur të injektojë te skuadra. Duke folur për shumë minuta në këmbë, zonja Ademi shfaqet tejet e preokupuar dhe në të njëjtën kohë mjaft e përkushtuar për të përcjellë mesazhin e duhur të ndryshimit tek skuadra. Duke u vënë në dukje vlerat që disponojnë si futbollistë ndër më të mirët në kampionat, Ademi ka shprehur besimin e madh tek ndryshimi. “Nuk shoh më të mirë se ju në fushë, prandaj këtë duhet ta ngulitni mirë në kokë dhe t’i mbushni mendjen vetes se jeni më të mirët, prandaj duhet të hyni në fushë për të fituar ndaj çdo kundërshtari. Duhet të keni më shumë besim tek vetja. Të komunikoni më shumë me njëri-tjetrin, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ecim përpara”, u është drejtuar ajo futbollistëve. Sipas saj, Vllaznia aktuale nuk është ajo realja, forcat dhe mundësitë janë për të bërë shumë më tepër dhe për këtë arsye, kthesa pritet të vijë shpejt. Të këtij mendimi kanë qenë edhe drejtuesit e klubit, Gjyrezi dhe Zekaj, të pranishëm në këtë takim, të cilët në formën e bashkëbisedimit kanë shprehur besimin e plotë tek stafi teknik dhe futbollistët prandaj dhe u kanë dhënë mbështetjen maksimale, sepse sipas tyre, vetëm kështu mund të shohin përpara.