Amir Abrashi është rikthyer i rëndësishëm për Frajburgun, që javën e fundit mundi 5-1 skuadrën e Augsburgut. Fjalë të mira për mesfushorin e kombëtares sonë nga trajneri Kristian Straish, ndërkohë që futbollistët e skuadrës gjermane i janë gëzuar dy ditëve pushim.
“Është gjë e mirë që patëm pushim dy ditë, diçka e tillë nuk ndodh shpesh. Mua m’u krijua mundësi të kthehesha në shtëpi. Shkova në Zvicër dhe takova prindërit e mi. Tani jam plotësisht i qetë, por ky relaks nuk do të zgjasë shumë. Të shtunën është ndeshja e radhës”, shprehet Abrashi në një intervistë të dhënë për faqen e klubit.
Mesfushori flet edhe për elozhet e trajnerit: “Natyrisht është gjë e bukur të dëgjosh se isha në gjendje të bëja ato që donte trajneri. Jam po aq i lumtur që unë munda të ndihmoj ekipin. Kjo është gjëja më e rëndësishme”.
PËRBALLIMI I DËMTIMIT – Këputja e ligamentit e la jashtë fushave të blerta për shumë kohë Abrashin, i cili një situatë të tillë nuk e provon për herë të parë. “Ka qenë e vështirë për mua, një ndjenjë e çuditshme. Në fillim ishte ‘OK’, por pas nëntë, dhjetë muajsh, nisa të bëhem shumë e më shumë i paduruar. Çdo fundjavë ishte e njëjta situatë, isha gjithmonë spektator”, tregon futbollisti i Frajburgut.
Në janar ai u grumbullua me ekipin në fazë dhe pati mundësinë të luante disa miqësore me ekipin e dytë: “Përfitova shumë kënaqësi vetëm prej faktit që isha në gjendje të godisja topin përsëri. Ndeshjet me ekipin e dytë ishin shumë të vlefshme për mua, dhe fatmirësisht, kur duhesha për ndeshjet me Shalken dhe Augsburgun, isha i gatshëm”.
Abrashi tregon se priste të ishte gati fizikisht për ekipin e tij: “Mendërisht kam qenë gati prej një kohe të gjatë. Ishte shumë e qartë për mua: sapo trajneri të më hidhte në fushë, do duhej të jepja 100% dhe të isha në maksimumin tim. Fjala ‘ambientim’ nuk ekziston për mua. Luajmë në Bundesligë, kemi nevojë për pikë. Këtë mendoja gjithë kohën të shtunën”.
PERIUDHA E RIKUPERIMIT – Edhe pse i dëmtuar, Abrashi gjithë kohën ka qenë i grumbulluar me skuadrën. “ Ishte fantastike dhe diçka e tillë ndodh ndoshta vetëm në Frajburg. Kam punuar aq shumë me djemtë, saqë isha në klimë ndeshjesh, edhe kur nuk isha gati për të zbritur në fushë. E pabesueshme, apo jo? Kjo është unike dhe ia lehtëson kthimin nga dëmtimi çdo lojtari”, rrëfen mesfushori, i cili ka vetëm një dëshirë: “Dua që në vazhdim të jem i shëndetshëm dhe të vazhdoj kështu”.
MARRËDHËNIA ME GRIFO – Mesfushori me origjinë italiane, Vinçenzo Grifo, është një nga miqtë më të mirë të Abrashit. “Jemi shumë të afërt. Në kohën kur ai nuk luante, ne bisedonim çdo ditë në telefon. Nëse nuk kishim kontakte gjatë një dite, kjo ishte diçka e çuditshme. Ne jemi të gjithë të lumtur që ai është kthyer me ekipin, si lojtar, por edhe si tip. Ai i bën mirë ekipit. Ju e shihni se sa mirë harmonizohemi brenda ekipi dhe kjo sjell edhe lojën e mirë në fushë. Përndryshe nuk do funksiononte aq mirë”, deklaron Abrashi.