Nedim Bajrami e ka zhvilluar stërvitjen e parë me Kombëtaren Shqiptare dhe po përgatitet për debutimin në fanellën kuqezi. Trajneri Reja mund t’i besojë fantazistit nga Tetova për të surprizuar mbrojtjet e kundërshtarëve, duke pasur një armë të fortë shtesë në këto kualifikuese të Botërorit.
Në intervistën e dhënë për “Supersport”, Bajrami tregon sesi zgjodhi Shqipërinë. Për ta nisur nga thirrja e zemrës dhe për të vazhduar me ftesën e Amir Abrashit, që i garantoi cilësinë e Kombëtares tonë.
“E vendosa të luaj për Shqipërinë, pasi dëgjova zemrën. Fola edhe me Rejën dhe mendova se është vendimi i duhur që të luaj për Shqipërinë. Fola me Abrashin dhe më tha hajde të luash me Shqipërinë, pasi kemi skuadër të mirë, me cilësi. Është një miks me lojtarë të rinj dhe të tjerë me eksperiencë. Të gjithë më kanë pritur shumë mirë dhe jam shumë i lumtur që jam këtu.
Të futem në formacion? Këtë e vendos Reja, por nëse më aktivizon, unë do të jem shumë i lumtur të jap kontributin tim. Kam bërë vetëm një stërvitje me skuadrën dhe kam parë që ka shumë cilësi. Duhet të bëjmë shumë mirë në ndeshjen e parë me Andorrën, pasi është shumë e rëndësishme ta nisim mbarë”, u shpreh Bajrami. /Sport Ekspres/