Një ndër futbollistët që ka shkëlqyer në Superligë me Luftëtarin ka si objektiv të vërë në vështirësi trajnerin Panuçi: Te kombëtarja A për të dhënë më shumë se 100%, Shpresat ia dalin dhe pa mua
Intervistoi: Anton Cicani
Kristiani që ndihmon Kristalin… Të duket pak e çuditshme kjo lojë fjalësh, por që është ndoshta titulli i përrallës që po jeton mesfushori ofensiv i Luftëtarit. Tetë gola të shënuar në kampionat, thuajse të gjithë deçizivë, dhe padiskutim sezoni i tij më i mirë, teksa vjet ishte periudhë ambientimi dhe gjithçka shkonte me hope dhe ritme të alternuara. Abazaj është gati që të tregojë vlerat edhe te kombëtarja e madhe, duke u provokuar si një “blerje e re” nga italiani në radhët e kuqezinjve. Një thirrje që ka ardhur “in extremis” por që ka lumturuar pa masë futbollistin bluzi. Në intervistën e dhënë për “Sport Ekspres” ai rrëfen emocionet, por edhe pretendimet personale, duke mos harruar Superligën dhe ambicien evropiane.
Trajneri Panuci tha në konferencën për shtyp se “Abazajn vendosa ta marr vetëm dy ditë para listës sepse pashë paraqitjet e fundit dhe u binda. Si e prite këtë thirrje, të befasoi apo e shpresoje brenda teje?
Të jem i sinqertë, kur e mora vesh që më kishte ardhur ftesa për t’u bashkuar me Kombëtaren A u emocionova shumë, sepse siç edhe e kam thënë edhe më parë, ajo ka qenë ëndrra ime. U befasova pak, sigurisht.
Ke plot 6 ditë për të treguar cilësitë e tua në stërvitje, që trajneri më pas të vendosë për debutimin. Mendon se je gati për të dhënë më shumë se 100%? Dhe, në çfarë gjendje fizike ndodhesh, pasi ke luajtur shumë ndeshje dhe thuajse gjithmonë 90%?
Do të jap 100% ose më shumë, sepse më është dhënë një shans i artë dhe duhet ta shfrytëzoj në maksimum. Sigurisht, kam pak lodhje fizike, pasi jam aktivizuar në shumë ndeshje dhe nuk kam pushuar, por nuk mund të jetë justifikim për të mos dhënë më të mirën. Entuziazmi dhe aspekti psikologjik janë më të rëndësishme dhe besoj se thirrja në kombëtare të jep më shumë energji.
Thirrja të befasoi, por a e pret realisht të debutosh të hënën?
Për këtë duhet të pyesni trajnerin. Nuk di të përgjigjem.
Eshtë bërë pak zhurmë për faktin se Bushi të donte te U-21 për dy ndeshjet e rëndësishme me Sllovakinë. Do të kishe dashur t’i ndihmoje shokët e tu te Shpresat dhe a mendon se do t’ia dalin pa ty dhe Ramadanin?
Do të doja shumë, por jam i bindur që djemtë do t’ia dalin edhe pa mua dhe Ramadanin, pasi janë po aq të aftë.
Ke vlerësimin e Bushit dhe të Panuçit. Si të bën të ndihesh ky fakt?
Shumë i vlerësuar dhe kjo gjë më jep forcë dhe besim për të ecur përpara.
Konkurrenca në kombëtaren A është e fortë dhe përpara teje ke një lojtar si Roshi. Çfarë mund të bëjë Abazaj më shumë për të fituar një vend në formacionin e të ardhmes?
Të gjithë i dinë cilësitë e Roshit dhe që është një lojtar fantastik. Do të vazhdoj të jap më të mirën time. Si gjithmonë, luaj ose nuk luaj, rëndësi ka që të ecim përpara.
Golat e tu nuk janë kurrë banalë por të bukur. Si e sheh veten në krahasim me vitet e shkuara dhe a mendon se ky sezon është më i miri?
Vjet e kisha shumë të vështirë në fillim sepse luaja për herë të parë në Superligë dhe nuk kisha eksperiencë. Ishte e vështirë deri sa u përshtata. Këtë vit besoj që kam qenë shumë mirë në aspektin personal sepse kam arritur edhe të shënoj edhe të ndihmoj ekipin. Vërtet kam shënuar disa gola të bukur, por akoma më shumë që golat e mi kanë ndihmuar ekipin të marrë fitore dhe pikë.
Arbitrat po ju penalizojnë shumë. Sa e vështirë është për ju që të fitoni edhe kundrejt padrejtësive dhe mendon se Luftëtari ka shanse reale për Europën?
Nuk më pëlqen të merrem dhe flas për arbitrat. Besoj se Luftëtari ka forcën dhe grupin për të përballuar çdo kundërshtar dhe këtë e kemi treguar. Kemi shanse reale dhe në fund do t’ia dalim të shkojmë në Europë. Vjet e humbëm në fund, sivjet besoj se nuk do të ndodhë.