Nga Klaudio Ndreca
Presidenti i Federatës të Futbollit në Shqipëri, Armand Duka, ka bërë një rrëfim të gjatë për situatën e vështirë të këtij sporti në vendin tonë. Qeveria ende nuk e ka kthyer një përgjigje për mënyrën sesi do të vazhdohet në vijim, pavarësisht se shumë biznese dhe me risk më të madh infektimi janë hapur.
Në intervistën e dhënë për “RTSH Sport”, Duka ka prekur edhe shumë tema të tjera. Në ditën e djeshme janë mbyllur licencimet për në Europë, ndërsa ka pasur edhe disa pikëpyetje të ngritura nëse bardheblutë mund të rrezikojnë në këtë drejtim. Kur flitet për modelin e futbollit që do të rikthehet, presidenti i FSHF-së shprehet se jemi duke ndjekur modelin e Gjermanisë për protokollet, ndërsa gjithashtu është prekur edhe tema e “Play Off-it” nëse kampioati do të mbyllej në tavolinë. Pavarësisht të gjithave, objektivi kryesor mbetet që futbolli të mbyllet atje ku edhe nisi, në fushën e blertë.
“Në fakt unë nuk po e kuptoj se përse nuk e kemi ende një datë për nisjen e futbollit. Stërvitja e lojtarëve nuk është më me risk sesa shumë aktivitete të tjera që janë hapur. Të bësh stërvitje me 10.000 metra katrorë dhe me grupe lojtarësh, është shumë e vështirë dhe gati e pamundur që virusi të infektojë lojtarët.
Kemi përgatitur edhe një protokoll që do ta bëjmë publik pasi komunikimi zyrtar është i pamundur. Ne tani komunikojmë me Qeverinë nëpërmjet mediave dhe publikimeve të dokumentave dhe uroj që brenda fundit të majit të kthehemi me aktivitetet zyrtare.
Çuditërisht nuk ka asnjë përgjigje nëse do të kthehet futbolli, kur do të kthehet, si do kthehet apo nëse nuk do të kthehet asnjëherë. E kanë futur te zona e kuqe, megjithëse nuk duket të jetë kështu. Duke parë që gjithë Europa po kthen kampionatet e futbollit, ku Anglia po mendon për datën e futbollit, Portugalia po ashtu, ndërsa në Itali po hapen të gjithë sportet dhe ka kundër vetëm Interin, të njëjtën gjë duhet ta bëjmë edhe ne.
Sigurisht që duke ndërtuar një protokoll të veçantë për situatën pas Kovidit. Ne kemi parë protokollin që ka bërë Gjermania dhe që fillon me kontrollin e testimin e futbollistëve njëherë në javë. Nëse një lojtar rezulton pozitiv duhet të izolohet së bashku me familjen, për të vazhduar stërvitjen, ndërsa ekipi pra testohet në çdo javë. Në stadium gjatë ndeshjes nuk duhet të ketë më shumë se 100 njerëz bashkë me stafin, arbitrat dhe fëmijët që kapin topat. Njëkohësisht edhe dushet lojtarët duhet që t’i bëjnë në shtëpitë e tyre. Këto janë disa nga detajet kryesore për të mos e përhapur Koronavirusin.
Nëse do të mbyllet futbolli në tavolinë? Nuk mendoj se Shqipëria duhet të jetë një nga vendet që duhet të mbyllet futbolli duke parë numrin e infektimeve. Ne duhet të jemi vendi që duhet t’i kthejmë më shpejt aktivitet pasi virusi nuk ka qenë agresiv me ne dhe mbi të gjitha nuk jemi një vend i pasur që e kemi luksin që të rrimë në shtëpi. Mbase dikush i mbyll sytë, por këtu njerëzit vuajnë për bukën e gojës dhe nuk jemi vendi i pasur.
Kundërshtarin duhet ta vlerësosh për atë që i takon, jo që ta mbivlerësosh. Ne jemi duke e mbivlerësuar dhe nëse nuk na mbyt direkt, Koronavirusi do të na mbysi me ekonomi. Nëse mbyllet futbolli në tavolinë do të bëhet një fotografim sipas sipas renditjes aktuale të kampionatit, me rregullat e vendosura nga UEFA.
Vendet e Play Off? Ky është një diskutim tjetër për ato ekipe që do të përballen në mënyrë direkte, por që nëse nuk luhen në muajin gusht, mund të bëhen edhe në shtator, nuk është e thënë. Por gjithsesi duke respektuar rregullat e vendosura në fillim të kampionatit.
Kemi shpërndarë rreth 95% të pagës së parë, do të jepet edhe paga e dytë, pastaj jam i sigurtë që pas 15 majit do të kthehemi për të luajtur, pasi po hapen bizneset në Shqipëri.
Tirana ka probleme me licencimin? Këto i sheh Komisioni, por në dijeninë timë Tirana ka pasur marrëveshje me Drejtorinë e Tatimeve për shlyrjen në kohë të detyrimeve të saj dhe në dijeninë time e ka shlyer. Tani mbetet të shihet sesa e vërtetë është. Ky nuk është viti 0 për futbollin shqiptar, do të përmirësohemi në çdo vit. Kriteret e licencimit për në kampionatin shqiptar do të jetë edhe më e fortë në vitin tjetër, ose më saktë të njëjta me ato të Europës”, u shpreh Duka. /Sport Ekspres/