A mund të jetë Flamurtari anti-Skënderbeu?

0

25 pikë në total, 6 pikë nga vendi i parë, vetëm një humbje në javën e parë të kampionatit dhe komplimente nga opinioni publik mbi të gjitha për seleksionimin dhe lojtarët e ofruar. Projekti Flamurtari që këtë vit po gjen mbështetje të plotë dhe nga klubi – si rrallë herë më parë pagesat po bëhen gjithnjë në kohën e duhur – josh dhe pa asnjë diskutim që është ndër risitë më të mëdha të këtij sezoni. Megjithatë, në këtë moment nuk duhet folur për eufori sepse ka nga ata që menjëherë duan ta konsiderojnë ekipin vlonjat një anti-Skënderbe në garën për titull.

Sigurisht që me dy blerjet e fundit në sulm, dhe me një tratativë në realizim e sipër për Bregun, kuotat për të qenë dhe më të fortë në gjysmën e dytë të sezonit janë rritur ndjeshëm, por ama, duhet thënë që ky është vetëm viti i parë i projektit dhe nëse në fund të këtij sezoni Flamurtari arrin të rikthehet në kupat e Europës, do ishte një sukses. Sigurisht që kampionati ka nevojë për rivalitet dhe patjetër që garës do t’i shërbente të kishte një skuadër me profilin e sfidantit, por ekziston rreziku që duke menduar për gjëra të mëdha, humbet dhe gjërat që gjithsesi i ke. Flamurtari është me këmbë në tokë dhe pavarësisht se opinioni kërkon me këmbëngulje që kampionati të rihapet, në Vlorë e dinë mirë se deri ku e kanë limitin. Kupat e Europës. Më pas nëse diçka del rrugës, arrihen rezultate pozitive, ose Skënderbeu gabon më shumë se duhet, ku i dihet edhe mund të shpresohet. Për momentin po mendohet që ky sezon të përmbushë objektivat dhe më pas ndoshta sezonin tjetër të synohet trofeu madhor.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.