Futbolli vijon të mbetet në pritje dhe ende nuk ka një datë të caktuar se kur do të rinisë sërish. E thuajse e sigurt është se rikthimi do i gjejë me stadiume të boshatisura. Padyshim që tifozët i japin një tjetër bukuri ndeshjeve me atmosferën që krijojnë dhe përballjet nuk do të jenë më njësoj si më parë në këtë aspect. Por një zgjidhje për të thyer ndjesinë e ftohtë që të jep një stadium bosh propozohet nga Premier League. Klubi i Brighton-it hedh një ide brilante, teksa kërkon që në stadium të vendoset foni për të imituar zhurmën e tifozëve.
Thirrje tifozerie dhe një atmosferë që nuk vjen nga stolat e stadiumeve, por nga akustika e lëshuar prej vetë klubeve. Kjo gjithashtu shërben edhe si një mënyrë për të shfrytëzuar faktorin fushë dhe që ekipet të cilat luajnë në shtëpi të mos e vuajnë mungesën e tifozëve të tyre. Në të njëjtën kohë, shefi ekzekutiv i Brighton-it kërkon që të mbulohen ulëset për të mos u dukur bosh dhe të jepen mesazhe për mbështetje ndaj bluzave të bardha të mjekësisë.
“Kemi nisur të japim disa mendime për rifillimin e sezonit. A mund ta veshim stadiumin? A mund ta bëjmë stadiumin më të mirë se sa të shohim vetëm stola të boshatisur blu? A mund të sjellim zhurmën e tifozëve në stadium në një farë mënyre? Do preferoja t’i shihja ulëset blu të mbuluar. Mund të vendosim një mesazh të madh për të falenderuar Shërbimin Shëndetësor dhe të përdorim hapësirat tona për një qëllim të mirë”, ka thënë Paul Barber, shefi ekzekutiv i Brighton-it./Halit Delibashi-Sport Ekspres/