Nga stadiumi i Arsenalit do të luajë në stadiumin e Vorës, Maldini është një krenari shqiptare

Lajmi i keq është lajmi i mirë! Ky është parimi i mediave, teksa një lajm i keq tërheq gjithmonë më shumë audiencë dhe shikime sesa një lajm i mirë. Përshëmbull, sa i përket Kombëtares, refuzimet që i bëjnë lojtarët shqiptarë Kombëtares tonë tërheqin më shumë popullaritet sesa afrimet.

Shumë herë e kemi përmendur Brajan Grudën, por këtë herë ndalemi pak te Maldin Kacurri. Mbrojtësi 19-vjeçar ka debutuar para pak kohësh me ekipin e parë të Arsenalit, ndërsa trajneri Arteta i ka dhënë besim dhe e ka konsideruar si një talent të rëndësishëm të shkollës së futbollit të topçinjëve.

Por kjo është një histori e konsumuar, përse iu rikthyem Maldinit shqiptar? Shqipëria U-21 do të luajë dy ndeshje miqësore kundër Moldavisë në 15 dhe 18 nëntor, në stadiumin e Vorës. Alban Bushi publikoi listën dhe për të bërë një rinovim të ekipit, ndryshoi 80% të listës, duke thirrur emra që nuk kanë qenë më parë te Shpresat.

Në një rast të tillë, Maldin Kacurri kishte kaq shumë alibi për të refuzuar ftesën e Shqipërisë U-21. Jo vetëm që lojtarë të tillë në histori të ngjashme nuk shkonin te Shpresat as në ndeshjet më të rëndësishme pasi kërkonin vetëm Kombëtaren A, por Maldin Kacurri zbret me fanellën kuqezi me gjithë modestinë që e karakterizon, në dy ndeshje miqësore ndaj një rivali që nuk tërheq aspak në emër dhe mbi të gjitha, në një listë ku të gjithë emrat e peshës së rëndë nga më parë mungojnë.]

E gjitha kjo është për t’u vlerësuar, për gatishmërinë që ka treguar mbrojtësi që debutoi në Emirates Stadium dhe tani do të luajë kundër Moldavisë në dy takime miqësore, në stadiumin e Vorës. Një shembull që meriton vetëm duartrokitje, ky është Maldin Kacurri. Sigurisht, shumëkush do të thotë se ky lojtar po bën vetëm detyrën, por në këto ditët të sotme, është bërë kaq e vështirë për të bërë thjeshtë detyrën kur kombi të thërret. /Sport Ekspres/