Një tjetër talent shqiptar po fiton vëmendje në futbollin italian. Bëhet fjalë për Alen Vukajn, futbollistin që është pjesë e skuadrës së të rinjve të Interit dhe që po tregon potencialin e tij në arenën ndërkombëtare. Këtë herë për të ka folur trajneri i Shqipërisë U-19, Fatjon Tafaj, i cili në një intervistë për median italiane “FcInterNews” ka vlerësuar maksimalisht cilësitë e lojtarit kuqezi.
Madje, tekniku shqiptar ka bërë edhe një krahasim shumë interesant, duke e lidhur stilin e lojës së Vukajt me atë të yllit të Bayern Munichut, Jamal Musiala. “Duke marrë parasysh nivelin e tij teknik, inteligjencën taktike dhe aftësinë për të zgjidhur situatat individuale, veçanërisht në duelet një kundër një dhe një kundër dy, mund të them se ka karakteristika të ngjashme me lojtarë si Jamal Musiala. Për këtë nuk kam asnjë dyshim”, është shprehur Tafaj.
Trajneri i Shqipërisë U-19 ka treguar gjithashtu se fillimisht kishte pasur disa rezerva për Vukajn, pasi futbollisti vinte nga një dëmtim dhe nuk ishte në gjendjen më të mirë fizike. Megjithatë, gjithçka ndryshoi pas ndeshjes së dytë, kur Aleni arriti të tregonte potencialin e tij.
“Në ndeshjen e parë i dhashë pak hapësirë dhe luajti vetëm disa minuta. Në të dytën, prania e tij në fushë pati një ndikim shumë pozitiv. Që nga ai moment, paraqitjet e tij kanë ardhur gjithmonë në rritje dhe sot mund të them se është një futbollist që ka fituar vlerësimin dhe besimin tim”, ka treguar trajneri kuqezi.
Shifrat me fanellën e Shqipërisë U-19 janë gjithashtu premtuese. Në shtatë ndeshje, Vukaj ka regjistruar katër asistime, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për skuadrën. Tafaj e konsideron një nga futbollistët teknikisht më të fortë të grupit dhe vlerëson veçanërisht inteligjencën e tij në lojë.
Por çfarë e pret në të ardhmen talentin shqiptar? Trajneri nuk e fsheh kënaqësinë që Vukaj është pjesë e një klubi me historinë dhe prestigjin e Interit. “Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur që Aleni është pjesë e një klubi kaq të madh si Interi. Është një mundësi fantastike për rritjen e tij, jo vetëm nga ana teknike dhe taktike, por edhe profesionale”, është shprehur Tafaj.
Madje, ai e sheh si një mundësi shumë të mirë edhe aktivizimin e Vukajt me skuadrën e dytë të Interit, e cila luan në Serinë C. Sipas tij, kjo do t’i jepte mundësinë të fitonte eksperiencë dhe të qëndronte pranë ekipit të parë. “Gjëja më e rëndësishme nuk është ku luan, por që të bëjë hapin e duhur në momentin e duhur”, ka theksuar Tafaj.
Në fund, trajneri shqiptar ka folur edhe për mundësinë që një ditë Vukaj të shfaqet në ekipin e parë të Interit, duke theksuar se talenti duhet shoqëruar me punë, sakrificë dhe vazhdimësi. Ndërkohë, Tafaj ka konfirmuar se është në komunikim të vazhdueshëm me trajnerin e Kombëtares A, Maran. /Sport Ekspres/