Emanuela Rusta bëhet pjesë e trupës së arbitrave në finalet e Botërorit FIFA U-17 për vajza

Arbitra shqiptare Emanuela Rusta është përzgjedhur nga FIFA për të qenë pjesë e ekipit të arbitrave në Kampionatin Botëror U-17 për vajza, që po zhvillohet në Marok nga 17 tetori deri më 7 nëntor 2026.

Rusta është caktuar si arbitre e katërt në ndeshjen Japoni – Zambia, e vlefshme për fazën e grupeve të këtij kompeticioni. Takimi do të zhvillohet të dielën në orën 17:00, në “Mohammed VI Football Academy”, në Salé, dhe i përket Grupit D.

Në këtë ndeshje, arbitre kryesore do të jetë Caroline Lanssens nga Belgjika, ndërsa asistente do të jenë Staša Špur nga Sllovenia dhe Linda Schmid nga Zvicra. Arbitre rezervë asistente është caktuar Amina Gutschi nga Austria.

Përzgjedhja e Emanuela Rustës në një aktivitet të këtij niveli përbën një tjetër vlerësim të rëndësishëm për arbitrimin shqiptar dhe konfirmon përfaqësimin e tij në kompeticionet më të rëndësishme ndërkombëtare të futbollit.

Botërori U-17 për vajza i vitit 2026 është edicioni i dhjetë i këtij turneu dhe këtë vit bashkon përfaqësueset më të mira të kësaj grupmoshe në një prej aktiviteteve kryesore të FIFA-s për futbollin e vajzave.

Prania e arbitrave shqiptarë në skenën ndërkombëtare është një tregues i rëndësishëm i zhvillimit të arbitrimit në vend dhe i mundësive që krijohen për të vijuar përfaqësimin e Shqipërisë në nivelet më të larta të futbollit botëror.