Fëmijë që Asllani mban fort është Joni. Joni ka një histori ndryshe nga të tjerët, Zoti e sprovoi me një histori ndryshe nga shokët e moshës së tij sepse e donte fort, shumë fort. Nëse fëmijët e tjerë ishin mes vuajtjeve dhe dilemave se çfarë Iphone të merrnin se çfarë Play Station të blinin, Joni nisi rrugën drejt spitalit për të nisur me kimioterapi pasi ishte prekur nga kanceri, madje hyri edhe një operacion të vështirë.
E gjithë ajo që kërkonte ishte pak forcë dhe ku e gjeti? Te Kristjan Asllani, te lojtarët e Shqipërisë. Një familjare e djaloshit i shkruajti Federatës që të merrte një video nga Asllani. Ky mesazh mbërriti dhe për fat të mirë, sprova duket se kaloi. Pas një viti, FSHF nuk e ka lënë vetëm me kaq, por e surprizoi djaloshin duke e ftuar në Air Albania për të zbritur me lojtarët dhe për të qenë krah njeriut që i dha forcë në momentin më të vështirë të jetës së tij, Kristjan Asllanit.
Sigurisht, pak vite jetë, por në këto pak vite, Joni u sprovua më shumë sesa shumë të tjerë që janë në moshë shumë herë më të madhe se ky fëmijë. Dhe ndoshta kështu ishte e shkruar, ky fëmijë realizoi gjithë ëndrrën e tij duke takuar nga afër gjithë lojtarët e Kombëtares dhe duke shkuar në hotelin e ekipit. Dhe Kristjan Asllani nuk e lëshoi, as në momentin kur Joni ishte mirë dhe po kënaqej në Air Albania… /Sport Ekspres/