“Shqipëria është krenari”! Trajneri Maran flet para ndeshjes me Bjellorusinë: I kam parë ndeshjet me video, koha të flasim në fushë

Trajneri i Kombëtares, Roland Maran, dhe kapiteni Berat Gjimshiti dolën sot në konferencën zyrtare për media në prag të ndeshjes Shqipëri–Bjellorusi, që do të luhet nesër në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.

Tekniku kuqezi vlerësoi Bjellorusinë si një skuadër kompakte dhe të fortë, por theksoi se Shqipëria është përgatitur mirë dhe se grupi ka gjetur stimujt e duhur për këtë sfidë. Maran nënvizoi rëndësinë e përqendrimit, ekuilibrit dhe aftësisë për të interpretuar siç duhet momentet e ndryshme të ndeshjes, duke shprehur besimin te gatishmëria e skuadrës për të dhënë maksimumin.

Bjellorusia? – Bjellorusia është skuadër shumë kompakte dhe e fortë, ka bërë një rrugëtim të mirë dhe kemi shumë respekt për këtë skuadër. Por përtej kësaj, dua të ndalem te ekipi im që është përgatitur në mënyrë fantastike. Kam parë shumë dëshirën për të punuar dhe kemi gjetur stimujt e duhur. Për mua kjo është gjëja më e rëndësishme, që të përqendrohemi te cilësitë tona. Kam parë gjëra të ndryshme, kam parë dëshirë për të bërë mirë, për të provuar e gabuar, por për të gabuar në aspektin që të mund të përmirësohemi. Për mua janë këto kushtet e duhura për të përballuar këtë ndeshje ndaj një skuadre që respektojmë shumë.

Formacioni dhe dyshimet? – Po, nesër nis me të vërtetë aventura ime si trajner i Shqipërisë, është emocioni që të jep krenari, të bën të japësh më shumë, e kjo më stimulon më shumë. Idetë janë të qarta, kemi pasur ndonjë problem fizik, më është dashur të lë pushim lojtarët sidomos në një repart që kemi pasur mungesa. Por kush do të zbresë në fushë, do të jetë i qartë për të bërë më të mirën dhe për të dhënë maksimumin.

Si është gjendja e Asllanit dhe a do të ndryshoj moduli? – Është e vërtetë që disa nga lojtarët nuk kanë pasur mundësinë që të stërviten vazhdimisht. Nga mungesa, kemi provuar gjëra të reja dhe kam marrë disa përgjigje shumë të mira. Asllani dhe Shehu do të jenë të dy në stërvitje sot. Mbrëmjen e sotme do kem hapësira për të zgjedhur rrugën e duhur për ndeshjen e nesërme. Kanë qenë ditë impenjative, por që më kanë dhënë përgjigje shumë të mira. Kam besim që edhe nëse disa lojtarë nuk do kenë mundësi të luajnë 90 minuta, kjo na jep mundësinë për të zgjedhur dhe për të zbritur në fushë një skuadër që është e gatshme për të luftuar dhe për të bërë më të mirën.

Pse nuk u zëvendësua Ivan Balliu? – Në fakt nuk jam i shqetësuar. Kemi lojtarë të tjerë për mënyrën si dua ta interpretoj lojën. Është Sina, varet çfarë do kërkoj. Ismajli ka luajtur si mbrojtës i djathtë dhe besoj do kemi zgjedhje.

Sa i njeh tani lojtarët e Kombëtares? – Padyshim tani i njoh më shumë, edhe për faktin që kam kohë më shumë. Përveç grumbullimit të parë, më shërbyen edhe këto muaj për t’i takuar disa apo për t’i parë me video. Padyshim për mua është ndryshe tani, tani kam ide më të qartë, edhe pse i njihja më përpara, por duke u thelluar. Janë lojtarë të cilëve u kam njohur disa karakteristika që nuk i njihja në detaj. Pastaj lojtarët ndryshojnë në momente të sezonit, ka lojtarë që po vuajnë apo janë në ngritje. Unë duhet të jem i vëmendshëm, nuk është vlerësim përfundimtar, por edhe i momentit me klubet e tyre apo edhe me ne. Të them emra është e vështirë, jam munduar të thërras ata që janë në gjendje të mirë, apo më të përshtatshmit për modulin dhe karakteristikat që na duhen në këto ndeshje.

Bjellorusia vjen nga një moment i mirë, a keni një plan B gjatë ndeshjes nëse Shqipëria nuk gjen golin? – E vërtetë është në fakt, Bjellorusia vjen nga një periudhë e mirë, ka bërë shumë mirë në 6 ndeshjet e fundit. Kjo është edhe një stimul për ne. Përtej respektit ndaj kundërshtarit që ne e respektojmë shumë, na motivon edhe për të rritur nivelin e përqendrimit për këtë ndeshje. Kur stërvit një Kombëtare në një farë mënyre mund të bësh zgjidhje të ndryshme që ti të përballesh në momente të caktuara gjatë ndeshjes. Mendoj që ka shumë ndeshje brenda një ndeshje dhe sigurisht ne kemi punuar dhe jemi përgatitur për momente të tilla brenda ndeshjes.

A ke njohur trajnerë apo lojtarë bjellorusë në karrierën tënde dhe çfarë mendimi ke? – Nuk më kujtohen emrat. Kam vënë re që janë persona shumë punëtorë dhe fizikisht shumë të aftë, janë gjithmonë në krye të punës.

Çfarë Shqipërie presim nesër? – Qëllimi ynë është të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme dhe të mos humbasim ekuilibrin. Nuk ka rëndësi të kesh gjithmonë topin në posedim, por çfarë bëjmë në momentin që e kemi topin dhe nëse e humbasim, si e interpretojmë lojën. E thashë edhe pak më herët, ka ndeshje brenda ndeshjes. Nga ndeshjet e muajit qershor, kemi marrë disa mësime sa i përket mënyrës si kemi reaguar kur kemi humbur topin. Rezultati jo gjithmonë përcaktohet nga detaje të tilla, por fokusi është të bëjmë ndeshjen më të mirë nesër. Sigurisht që gjatë një ndeshjeje do të ketë vështirësi, por duhet të jemi të fortë, me kurajë dhe koshientë mbi të gjitha për punën që kemi bërë. Dhe atë ta interpretojmë në fushë.