“E duam Europianin e tretë”! Gjimshiti: Ka presion sepse duam vendin e parë, Etriti i jep dorë të madhe Shqipërisë

Trajneri i Kombëtares, Roland Maran, dhe kapiteni Berat Gjimshiti dolën sot në konferencën zyrtare për media në prag të ndeshjes Shqipëri–Bjellorusi, që do të luhet nesër në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.

Ndërkaq, kapiteni Berat Gjimshiti, në konferencën zyrtare për media në prag të ndeshjes me Bjellorusinë, tha se gjendja e grupit është shumë e mire dhe nënvizoi se skuadra ka si objektiv vendin e parë në grup dhe kualifikimin në Europian për herë të tretë.

Si duket skuadra dhe çfarë presim në këtë fushatë? – E kam gjetur skuadrën shumë mirë, kemi pasur më shumë kohë se fundi i sezonit të kaluar. Na janë nevojitur këto ditë për të mësuar edhe idetë e trajnerit, një frymë e re, lojtarë të rinj. Është një frymë shumë pozitive në Kombëtare.

Berisha? – Etriti është rikthyer, është një lojtar kyç me shumë eksperiencë, që unë e njoh dhe kemi luajtur bashkë edhe në Itali. Do t’i japë një dorë të gjithë të rinjve në Kombëtare dhe do të tregojë vlerat e Kombëtares.

Ndryshimi i skuadrës, si është niveli i kampionatit? – Ky vendim ka qenë i imi dhe bashkë me Atalantën në atë kohë. Nga jashtë nuk duket nëse liga është e fortë ose jo, sepse nuk ka vëmendje mediatike, por është një ligë shumë e vështirë. Ka shumë lojtarë me cilësi nga Europa që kanë ardhur tre vitet e fundit. Nuk është aq e thjeshtë sa duket, sidomos për mbrojtësit, sepse çdo ekip e ka një sulmues me emër. Për mua është sfidë e madhe si mbrojtës.

Çfarë u premtoni tifozëve për Shqipërinë që do të shohim nesër në fushë? – Premtimi, si gjithmonë, do japim maksimumin në fushë. Do të jemi të gjithë bashkë, si në fitore, ashtu edhe në humbje. Duam vendin e parë në këtë grup për të pasur një mundësi për të kaluar për herë të tretë në Europian. Ky është synimi i të gjithëve ne.

A duhet të luajë Shqipëria me tre mbrojtës? – Në këto vite që luaj me Kombëtaren kanë qenë disa trajnerë dhe disa taktika të ndryshme, por në kohët e fundit kam folur shumë me trajnerin, si për taktikën, ashtu edhe për gjëra të tjera. Besoj se do të vendosë atë që do të jetë më e mira për ekipin, që të përshtaten të gjithë lojtarët dhe atë që do të na hapë rrugën për suksesin. Nëse luajmë me 3 apo me 4, nuk ndryshon shumë. Atë e vendos trajneri.

Si është për ekipin të stërvitet me presionin për vendin e parë në grup? – Ke njëlloj presioni, sepse të gjithë kanë pretendime për vendin e parë. Të gjithë e kemi, edhe unë vetë jam një lojtar që kërkoj maksimumin. Nuk e kishim këtë fat ndaj Polonisë. Do të ishte një arritje e madhe, por duam të përsërisim Europianin për herë të tretë.

Si keni punuar për të forcuar grupin dhe për të mos pësuar gol? – Grupi dhe fryma në ekip janë shumë të rëndësishme, ose mentaliteti. Gjithçka fillon në kokë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme, për të cilën jemi stërvitur në këto ditë të para. Në verë, trajneri ka pasur idetë e tij, por nuk kishim aq kohë.