Teuta nuk di të ndalet dhe kërkon titullin në Superiore, fitore kundër Vorës dhe merr vendin e parë në Superiore

Teuta ka marrë një fitore të rëndësishme në javën e katërt të Abissnet Superiores, duke mposhtur Vorën me rezultatin 2-0 në stadiumin “Niko Dovana”. Durrsakët e Edlir Tetovës zhvilluan një ndeshje të luftuar dhe me këtë sukses ngjiten në krye të renditjes me 10 pikë.

Teuta e nisi më kërkuese dhe provoi disa herë për të gjetur golin. Boçi ishte protagonist në minutat e para, ndërsa në minutën e 31-të Vora pretendoi për penallti. Arbitri Indrit Myrtja e rishikoi episodin në VAR dhe vendosi të mos akordojë 11-metërsh.

Kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej pa gola, Teuta goditi në limitet e saj. Në minutën 45+2, Umejiego përfitoi nga aksioni i ndërtuar nga Sherif Kallaku dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin vendasve.

Në pjesën e dytë, Vora kërkoi barazimin dhe pati disa mundësi, por Bernandoni shpëtoi Teutën. Në fund, drama u shtua. Në minutën e 88-të u fikën dritat në “Niko Dovana”, ndërsa pak më parë Myrtja kishte akorduar penallti për Teutën.

Pas rikthimit të ndriçimit, Pedro mori përsipër ekzekutimin dhe në minutën 90+5 vulosi fitoren 2-0.

Teuta merr kreun me 10 pikë, ndërsa Vora mbetet me vetëm 3 pikë. /Sport Ekspres/